Kosova

Sulmuan gazetarët dhe ushtarët e KFOR-it, aktakuzë ndaj dy serbëve


Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të enjte ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, kundër dy personave të nacionalitetit serb me inicialet S.J dhe I.S, të cilët akuzohen se të hënën e 29 majit në Leposaviq, kanë marrë pjesë në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

“Fillimisht e kanë kaluar kufirin dhe në  bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore të nevojshme, sende të destinuara për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtimin e objekteve publike dhe private si dhe shkaktimin e dëmtimeve trupore personave zyrtar, duke qenë në kontakt me pjesëmarrës tjerë të turmës në Leposaviq, janë pajtuar që ti bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serb të datës 29.05.2023, me ç’rast protestuesit kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat ishin lënduar të paktën (tridhjetë) 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it…”.

“…(tre) 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë, mirëpo, të njëjtit janë ndalur nga ana e pjesëtarëve të policisë së Republikës së Kosovës dhe kështu është pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Siç njofton Prokuroria me këto veprime të pandehurit S.J dhe I.S. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi’’ nga neni 404 paragrafi 1 dhe 3  lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ndërkaq, i pandehuri I.S akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll ose  posedim të paautorizuar të armëve, si dhe gjatë kontrollimit të veturës së markës “Honda” me targa sllovene, të cilën e drejtonte i pandehuri, në bagazhin e veturës janë gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe  një piper sprej për të cilat nuk kishte autorizim që ti mbaj. Me këto veprime i pandehuri e ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit  Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Çka ndodhi më 29 maj?

Dhjetëra ushtarë italianë dhe hungarezë të lënduar, dhjetëra reagime nga diplomaci gjithandej botës, qindra lajme në media ndërkombëtare, një situatë në tension dhe e trazuar, kordonë të KFOR-it para objekteve komunale, policë të Kosovës brenda objekteve, një kryetar komune i bllokuar në objekt, dy të tjerë që s’duan të dalin më fare dhe një ambasador amerikan që si në rolin e kryeministrit të Kosovës zhvillonte takime për të gjetur një zgjidhje.

Kjo është përmbledhja e situatës së krijuar në Veri të Kosovës me 29 maj.

Protesta e serbëve kishte filluar qysh në orën 07:00 të mëngjesit, për të vazhduar edhe pas orës 19:00 në mbrëmje.

Në krye të këtyre protestave qëndronin përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, të dirigjuar nga Beogradi – me në krye kryetarin e saj, Goran Rakiç.

Qytetarët serbë që ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit deklaronin se aty ishin vetëm për një qëllim; të pengonin hyrjen e kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit në zyrat e tyre, të cilët të premten, në një situatë të tensionuar, përmes asistencës së Policisë së Kosovës kishin arritur që ta bënin një gjë të tillë.

Për të ofruar siguri, KFOR-i amerikan kishte vendosur një perimetër për të mos i lënë protestuesit që t’i ofroheshin objekteve të komunave.

E për të ‘negociuar’ me amerikanët kishin shkuar nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiç dhe ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiç.

Por, përgjigja e ushtarit amerikan ishte e prerë.

“Jemi këtu për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Nuk jam këtu për të negociuar. Unë i zbatoj urdhrat”, dëgjohej duke thënë ushtari amerikan.

Protestuesit kishin tentuar të hynin me forcë në objektin e komunës së Zveçanit, por ishin ndaluar nga forcat policore të  cilët kishin përdorur edhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.

Nga ana tjetër, për atë që po protestonin që të mos futeshin në objektet e komunave, pra kryetarët, ishin ftuar në një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

“Hazard” në Veriun e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore