Lajme

“Sukses i madh nëse ndodh pajtimi deri më 24 shkurt” – Ahmetoviç, raportuesi i Bundestagut për Ballkanin Perendimor


Raportuesi i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviç, ka folur për skenarin e publikuar nga Albanian Post për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi e ku thuhet se “pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt”.

Ai thotë se nëse kjo ndodh, do të ishte një sukses i madh.

“Ne kemi një dëshirë të madhe, si Gjermani dhe si BE, që Serbia pas disa vitesh të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Këtu është e rëndësishme zgjidhja e çështjes së Kosovës”, thekson Ahmetoviç për N1.

“Nuk është e lehtë të gjendet një zgjidhje për çështjen e Kosovës, është një çështje e vështirë. Por nëse gjendet një zgjidhje me të cilën të dy vendet do të pajtohen, kjo do të ishte vetëm pozitive për rajonin”, tha ai.

Ai beson se interesant do të jetë edhe procesi i Berlinit, të cilin e nisi ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe tani do të udhëhiqet nga kancelari Olaf Scholz.

Ahmetoviç njoftoi se më 3 nëntor do të ketë një konferencë të madhe në Berlin, në të cilën do të marrin pjesë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se shpreson që Serbisë dhe gjithë rajonit t’i jepet një sinjal pozitiv.

Raportuesi i Bundestagut vlerëson se Serbia ka një problem të madh se në cilën rrugë të shkojë – qoftë drejt Rusisë apo drejt Brukselit, dhe përsërit se kushti për t’iu afruar Bashkimit është t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore