Kosova

Studiuesi britanik: Serbia e shkeli rëndë Marrëveshjen e Ohrit – Heshtja e BE-së është e pakuptimtë


Aidan Hehir

Ligjëruesi dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale në Universitetin e Westminster në Britaninë e Madhe, Aidan Hehir, në një prononcim për “Tëvë1”, tha se kundërshtimi i Serbisë ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk duhet të shihet si befasi.

Madje, ai kritikoi ashpër Bashkimin Evropian në mënyrën se si po e ndërmjetëson procesin e normalizimit të marrëdhënieve për faktin se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, saktësisht artikulli 4 i saj, përcakton që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Nuk e besoj se dikush është i befasuar me veprimet e Serbisë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen me Kosovën. Pra pozicioni i Serbisë është shumë i qartë. Por problemi kryesor këtu nuk është Beogradi por Brukseli”, tha fillimisht Hehir.

“Këta të fundit insistuan për këtë marrëveshje dhe tani qëndrojnë të heshtur përballë Serbisë. Vota e Serbisë kundër pranimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës,  ishte shkelje e rëndë e marrëveshjes se fundit të arritur në Ohër”, shtoi ai.

Ai potencoi se disa shtete brenda Bashkimit Evropian po bëhen gjithnjë e më autoritare dhe po afrohen me Serbinë e Rusinë, duke iu referuar Hungarisë së liderit populist Viktor Orban, i cili përmes takimeve të shpeshta, i ka betonizuar marrëdhëniet e ngrohta me Aleksandër Vuçiç-in, presidentin e Serbisë.

“Raporte të ndryshme ndërkombëtare tregojnë qartë për rënien e demokracisë në Serbi përgjatë dekadës së fundit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Hungarinë, e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe tani e kundërshton këtë të fundit të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kjo me të vërtetë është e pakuptueshme”, tha Hehir.

Serbia nuk e fshehu armiqësinë e saj ndaj Kosovës, duke testuar edhe fuqitë e Bashkimit Evropian. Jo vetëm që Serbia votoi kundër, por kërcënoi shtetet që votuan pro anëtarësimit të shtetit kosovar në KiE ose abstenuan, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Ukrainën.

Greqia, Sllovakia, Hungaria – Çka mësoi Kosova nga mënyra se si u votua në KiE?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore