Kosova

Strategjia për Sundimin e Ligjit në vitin 2023 është zbatuar vetëm 41 %, sipas IKD-së


Gzim Shala nga IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi, të premten, ka vlerësuar se Plani i veprimit i Strategjisë për Sundimin e Ligjit, gjatë vitit 2023 është realizuar vetëm 41 për qind.

Gzim Shala, hulumtuesi i lartë në IKD, ka thënë se ndonëse Strategjia për Sundimin e Ligjit “është një prej iniciativave më të mëdha dhe më serioze për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, ka potencuar se e njëjta nuk është përcjellë me “vullnet të mjaftueshëm për zbatimin e saj në praktikë”.

“Raporti tregon se 41 për qinw e Planit të Veprimit për vitin 2023 është zbatuar plotësisht, apo 2 për qind më pak se në vitin paraprak. Sipas raportit, 34 për qind e aktiviteteve të planifikuara janë zbatuar pjesërisht, pra 11 për qind më pak se në vitin paraprak”. është shprehur Shala, gjatë prezantimit të Raportit të IKD-së “Strategjia në udhëkryq”, raport ky i monitorimit të Zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe Planit të Veprimit.

Shala ndër të tjera potencoi se raporti i Komitetit Drejtues ka treguar se strategjia është zbatuar plotësisht 55 për qind, pjesërisht 26 për qind dhe 19 për qind të aktiviteteve nuk janë zbatuar fare.

Sipas tij, ky raport nuk tregon në hollësi se pse 19 për qind e aktiviteteve nuk janë zbatuar ose pse 26 për qind janë zbatuar vetëm pjesërisht.

“Fatkeqësisht, nga kjo mungesë e informacioni në këtë raport rrezikon që të preket edhe cilësia e rishikimit të Planit të Veprimit dhe Planit të ri të Veprimit”, ka thënë tutje ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore