Lajme

Stefanoviç për djegien e flamurit serb – “E bënë ata që urrejnë, që duan luftë dhe bunkerë”


Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç për djegien e flamurit serb në Tiranë gjatë protestave të thirrura nga Seli Berisha kundër Ballkanit të Hapur tha se “e bënë ata që duan ta kthejnë rajonin në kohërat e luftës, urrejtjes, kufijve të ngurtë dhe bunkerëve”.

“Tërbimet në Tiranë s’mund ta ndalojnë Ballkanin e ri”, shkruan ai në deklaratë, transmeton Danas.

“Flamuri serb u dogj nga ndjekësit e politikanëve që kanë pësuar disfatë tash e një kohë të gjatë si Sali Berisha, por edhe prej atyre tjerëve të cilët nuk munden assesi të pajtohen me idenë që një Ballkan i Ri po lind tani”, ka thënë Stefanoviç në një deklaratë të shkruar.

Sipas tij, takimi i Presidentit të Serbisë me liderët rajonalë nënshkrues të Ballkanit të Hapur, është hap drejt “paqes, bashkëpunimit në rajon, dhe e vetmja politikë që shpien kah e ardhmja”.

“Aleksandar Vuçiç i shqetëson ata që dolën në rrugët e Tiranës, dhe u egërsuan e dogjën flamurin serb, por edhe më shumë i shqetëson politika e tij, e cila i jep fund Ballkanit si zonë konflikti dhe urrejtjeje dhe hapë shtegjet për bashkëpunim dhe të gjitha liritë”, konsideron ministri serb i mbrojtjes.

Sipas tij, “Ballkani i Hapur nuk mund të ndalet nga huliganë nga qendra e Tiranës dhe liderët e tyre që jetojnë në të kaluarën e errët dhe nuk mund të heqin dorë prej saj”.

Stefanoviç konsideron se protesta e së hënës “janë hov i pafuqishëm i urrejtjes ndaj fqinjëve të tyre, kundër dëshirës së madhe të popullit serb, shqiptar dhe maqedonas për të kapërcyer dallimet që i ndajnë”.

“Koha e Berishës, huliganëve dhe njerëzve të errët ka ikur, historia e re e Ballkanit po bëhet me gjithë zemërimin dhe egërsinë e tyre, do të jetë një kohë bashkëpunimi, tregtie më e madhe, turizmi, udhëtimesh, punësimi dhe investimesh. Shumica dërrmuese e njerëzve që jetojnë në këtë zonë e duan një Ballkan të tillë dhe ai do të bëhet realiteti ynë”, tha Stefanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore