Lajme

Stefanoviç i kërkon Listës Serbe të dorëhiqet nga Qeveria e Kosovës


Zëvendëskryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi, dhe ish krye-negociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç

Nënkryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi, dhe ish krye-negociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç i ka bërë thirrje Listës Serbe të dorëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

“Pasi që Qeveria e Kurtit gjithashtu përfshin përfaqësues të Listës Serbe, më e pakëta që këta të fundit mund të bëjnë pas sulmit ndaj serbëve është që menjëherë ta lënë atë qeveri. Kjo në mënyrë që të dëshmojnë mospajtimin e tyre me një qeveri që qëllon njerëzit e vet me plumba të vërtetë”, ka deklaruar Stefanoviç.

Ai tha se Aleksandër Vuçiç e “e kupton fare mirë që një gjë e tillë nuk zgjidhet me konferenca të jashtëzakonshme në Rashkë”.

“Duhet marrur veprime konkrete kundër Qeverisë së Kosovës, në të cilën ende janë Lista Serbe”, përfundoi ai.

Stefanoviç edhe më parë kishte kritikuar Listën Serbe, përkatësisht kryetarin e saj, Goran Rakiç, në rastin e tensioneve të krijuara pas masës së reciprocitetit për targa me Serbinë.

Borko Stefanoviç kishte deklaruar se “Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës duket se bashkëjetojnë shumë mirë mes vete”.

Sipas tij, ajo krizë, kishte qenë e “koordinuar mes Prishtinës dhe Beogradit”.

“Një gjë që e vërej gjithashtu është se asnjë nga Lista Serbe, ose Partia Progresiste Serbe në Kosovë, nuk ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e Kosovës. Nuk ka asnjë krizë në Qeverinë e Kosovës, ata jetojnë mirë së bashku dhe pajtohen bukur”, kishte deklaruar Stefanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore