Kosova

Stano: Propozimet për Asociacionin të shtrohen në kuadër të dialogut


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Kosova Press, tha se përfaqësuesit e BE-së janë të gatshëm të ndërmjetësojnë për diskutimet mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në takimet e ardhshme në Bruksel.

Ai tha se kanë marrë parasysh kushtet e kryeministrit Albin Kurti për themelimin e këtij mekanizmi të ri vetëqeverisës për serbët e Kosovës ndërsa shtoi se çdo propozim që mund të kenë të dy palët, të paraqitet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme të ndërmjetësojë diskutimet mbi Asociacionin në takimet e ardhshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar dhe sfiduar fuqishëm krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, të enjten e 2 shkurtit shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.

Kurti ka thënë se ky mekanizëm nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të riemërohet dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare.

“Këto gjashtë kushte që i vendosa unë, janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikëbërjes”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar gjatë fjalimit të tij.

SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u thirrur në Marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel e të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës – Marrëveshja e Parë që ka ende fuqinë ligjore të një marrëveshje ndërkombetare.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Kurti, pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pranoi zyratarisht propozimin e BE-së për dialogun. Ai e ka konsideruar si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Ndërkaq, presidenti serb, në po të njëjtën ditë tha se do të shkojë në Bruksel vetëm atëherë kur autoritetet kosovare do të fillojnë së zbatuari marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ma tregojnë kuptimin e atij [takimi me kryeministrin e Kosovës]. Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër, apo pas diçkaje tjetër, mos më thirrni”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore