Lajme

“Stabiliteti Strategjik” – telefonatë palësh SHBA-Rusi


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe homologu i tij rus, Sergei Shoigu, kanë folur me telefon për bisedimet e vazhdueshme të “stabilitetit strategjik” të nisura muajin e kaluar pas një samiti të fundit presidencial.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha më 11 gusht se Austin dhe Shoigu diskutuan mbi “transparencën dhe përpjekjet për zvogëlimin e rrezikut pas rifillimit të Dialogut Strategjik të Stabilitetit SHBA-Rusi më 28 korrik”.

Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se të dy sekretarët folën për “rezultatet e konsultimeve dypalëshe mbi stabilitetin strategjik, si dhe çështjet e sigurisë globale dhe rajonale”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, dhe presidenti rus Vladimir Putin ranë dakord në Samitin e Gjenevës – të mbajtur në qershor – për të nisur një dialog dypalësh mbi stabilitetin strategjik.

Kjo, për të “hedhur themelet për kontrollin e ardhshëm të armëve dhe masat për zvogëlimin e rrezikut”.

“Rivalët” kanë diskutuar çështje specifike, të tilla si të lëvizin përtej traktatit të “New START” që Biden dhe Putin kanë rënë dakord të zgjasin deri në vitin 2026.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotërojnë rreth 90 për qind të armëve bërthamore të botës.

Moska ka thënë se dëshiron që Britania dhe Franca të bëhen pjesë e bisedimeve më të gjera të kontrollit të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Washington-i vazhdon të kërkojë përfshirjen e Kinës në negociata.

Zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, udhëhoqi delegacionin amerikan dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, udhëhoqi palën ruse për nisjen njëditore të bisedimeve strategjike të sigurisë në Gjenevë më 28 korrik.

Agjenda e saktë e bisedimeve nuk është bërë publike.

Të dyja palët kanë thënë se një raund i mëtejshëm plenar i bisedimeve të nivelit të lartë do të mbahet në fund të shtatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore