Kosova

S’pranohet kërkesa për inicimin e shkarkimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut


Erden Atiq

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, kërkesa e qytetarëve serbë për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk është pranuar, për shkak se e njëjta nuk ka qenë në përputhje me atë se çfarë parasheh Udhëzimi Administrativ.

Albanian Post ka siguruar dokumentin që u është dërguar grupit nismëtar, ku u është bërë me dije edhe arsyeja e mospranimit të kërkesës së tyre.

Vendimi

“Kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023 për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni”, thuhet në vendimin e siguruar nga AP.

Për këtë, AP ka kontaktuar edhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili konfirmoi mospranimin e kësaj kërkese, derisa tregoi edhe arsyet që e kanë çuar për të marrë një vendim të tillë.

“Nuk është pranuar kërkesa. Ata janë të obliguar që t’i plotësojnë kushtet sipas Udhëzimit Administrativ, sepse ata kanë bërë disa gabime”, tha fillimisht Ugljanin.

“Ata kanë qenë të obliguar për njoftim të kryesuesit për formimin e grupit iniciues, dhe ai grupi iniciues duhet që përmes Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të regjistrohet”, shtoi.

Mirëpo, siç bënë me dije Ugljanin, grupi iniciues se ka bërë këtë hap, që parashihet në Udhëzimin Administrativ – i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

“A e kanë bërë qëllimisht, s’merrem me këto çështjet politike, por veproj sipas ligjshmërisë dhe sipas Udhëzimit Administrativ dhe duke u referuar në këto ia kam kthyer përgjigjen negativisht”, pohoi ai.

Se do të refuzohej kërkesa e grupit nismëtar për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Ugljanin kishte bërë me dije për AP, më 7 dhjetor, në ditën kur serbët kishin bërë kërkesën.

Pos Mitrovicës së Veriut, serbët kanë dorëzuar edhe në Zubin Potok kërkesën për inicim të peticionit për shkarkimin e kryetarit shqiptar të kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar Vedat Mehmeti, Kryesues i Kuvendit Komunal në Zubin Potok, derisa ka bërë me dije se kërkesa është bërë përmes e-mailit.

“Po, sot në adresë time kam pranuar një e-mail, në të cilën është një formular i plotësuar prej tre qytetarëve serbë të Zubin Potokut, të cilët e kanë marrë iniciativën për shkarkimin e kryetarit”, tha fillimisht Mehmeti për AP.

Çfarë konkretisht shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore