Shqipëria

Spiropali mirëpret “e vetme” në Kryeministri, të dërguarin amerikan David Wisner


Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është takuar të hënën e 11 shtatorit me të Ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarja shqiptare, duke cituar njoftimin në median sociale “Facebook”.

Gjatë takimit, Spiropali shtoi se u rikonfirmua dhe u ripohua rëndësia strategjike e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo e quajti madje “aleancë vlerash dhe qëllimesh të përbashkëta”, në interes të dy vendeve që i lidh historia dhe i bën bashkë edhe e ardhmja.

“Vlerësim dhe mirënjohje për bashkëpunimin e pakursyer në përpjekjen historike të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për demokratizimin e vendit dhe institucioneve, reformave komplekse të ndërmarra, reformën në drejtësi, mbi të gjitha edhe luftën kundër korrupsionit, si mjetet dhe instrumentet e pandryshuara të së nesërmes më të mirë, si rrugë të vetme të evropianizimit të Shqipërisë”, vërejti më tej ministrja.

Spiropali solli në vëmendje edhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, konvergim në strategjinë dhe tejkalimin e sfidave në sigurinë rajonale dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO.

Një mesazh ajo e kishte edhe për viktimat e 11 shtatorit dhe 3 mijë viktimat e tij të pafajshme.

“Homazh dhe kujtesë për 11 shtatorin tragjik dhe 3 mijë viktimat e tij të pafajshme, mes të cilëve edhe tre shqiptarë, si një stacion historik që dëshmon nevojën e domosdoshme për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë”, shtoi zyrtarja shqiptare.

Ajo ndau edhe vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në rolin e saj si e zgjedhur për herë të dytë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për çështjen e pushtimit brutal të Ukrainës.

Në përmbyllje, Elisa Spiropali shprehu po ashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë amerikanë për zhvillimin e kapaciteteve në një sërë sektorësh me rëndësi strategjike.

Kujtojmë që, Wisner është takuar më herët me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e sigurisë së vendit (të Brendshëm dhe të Mbrojtjes) Taulant Balla dhe Niko Peleshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore