Lajme

Specialja bastis dy shtëpi në Prishtinë


Objekti i Gjykatës Speciale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka thënë se Gjykata Speciale të martën në mbrëmje ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë. Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhrin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga Ahmeti.

“Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së”.

KMDLNj ka njoftuar se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes dhe qëllimet e intervistimit.

“Gjatë bastisjes nuk ishte i pranishëm avokati shkaku se Nuhi Ahmeti nuk ka kërkuar praninë e avokatit ndërsa gjatë intervistimit do të jetë i pranishëm avokati i autorizuar nga z. Nuhi Ahmeti”, ka shtuar tutje KMDLNj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore