Lajme

Spanja përjeton thatësirën rekord në 70 vitet e fundit


Spanja po përjeton thatësirën më të madhe në 70 vitet e fundit.

Në muajin prill, mungesa e shiut dhe temperaturat rekord – javën e kaluar në të gjithë vendin luhateshin midis 30 dhe 40°C – po thajnë pellgjet ujëmbledhës, në disa raste nën 25% të kapacitetit të tyre.

Po ashtu kërcënojnë furnizimin me ujë të popullatë.

Një e katërta e vendit është në gjendje alarmi dhe parashikimet e motit nuk japin shumë shpresë.

Deri në mesin e majit nuk do të bjerë shi në pjesën më të madhe të gadishullit Iberik dhe në muajt në vijim reshjet do të jenë të pakta dhe sporadike.

Sektori i bujqësisë u godit rëndë, veçanërisht në rajonet jugore. Thatësira bëhet menjëherë një çështje politike, në funksion të zgjedhjeve lokale dhe rajonale të 28 majit dhe zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit.

Në rrezik shumë të lartë është kultivimi i orizit – 60% i rritur në provincën e Seviljes – por edhe i domateve dhe frutave.

Sakaq, kostot janë dyfishuar për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe mungesës së ujit, sipas presidentes së Asociación de Ganaderías de Lidia.

“Është e tmerrshme, kafshët tashmë kanë ngrënë atë pak bar që ka në fushë dhe ne jemi të detyruar të blejmë ushqim dhe foragjere për të ushqyer bagëtinë”, ka thënë María Jesús Gualda.

Pse nuk bie shi në Spanjë?

Arsyeja është ngecja e një kreshtë anticiklonike në Gadishullin Iberik, e cila po largon stuhitë.

Situata nuk do të ndryshojë në afat të shkurtër, sipas parashikimit të motit nga Aemet, agjencia shtetërore meteorologjike.

Në ditët në vijim vetëm krahinat veriore do të kenë reshjet e shumëpritura, por ende “të pakta”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore