Euro 2024

Spanja nuk lejon befasi ndaj Gjeorgjisë, kualifikohet në çerekfinale të Euro 2024


Dani Olmo

Spanja ka kaluar në çerekfinale të kampionatit evropian Euro 2024 duke mposhtur Gjeorgjinë në ndeshjen e katërt të 1/8 së finales.

La Roja fitoi me rezultat të thellë ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, duke u konfirmuar si favorite për të fituar për herë të katërt Euro 2024.

Gjeorgjia kaloi e para në epërsi në minutën e 17-të të ndeshjes. Robin Le Normand shënoi autogol pas një kundërsulmi të gjeorgjianëve.

Megjithatë, rezultatin e barazoi Rodri. Ai shënoi nga distanca për 1:1 në minutën e 39-të të ndeshjes që u luajt në Koeln të Gjermanisë.

Golin e dytë për Spanjën e realizoi Fabian Ruiz. Ai e konkretizoi në gol asistimin e Lamine Yamal i cili paraprakisht rrezikoi portën.

Nico Williams realizoi supergol për 3:1 në minutën e 75-të të ndeshjes, kurse golin e katërt e shënoi Dani Olmoi në minutën e 83-të.

Ndryshe, në çerekfinale Spanja do ta ketë përballë Gjermaninë, kurse Gjeorgjia përmbyllë aventurën e parë në Euro 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore