Lajme

“Sot punojë nga zyra për komunitete”, kryetari i Zveçanit të martën nuk shkon në komunë pas situatës së tensionuar


Ilir peci, Kryetar i Komunës së Zveçanit

“Unë nuk do të shkoj sot në zyrë”, ka deklaruar mëngjesin e kësaj të marte, Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, për Albanian Post.

“Aktualisht jam në zyrën për komunitete në fshatin Lipë”, ka treguar Peci, “tani kam një takim, më falni”, u ngut ta mbyllte telefonatën ai.

Kryetari i ri i komunës së Zveçanit, siç duket e ka menduar dhe po e zbaton kërkesën e ambasadorit amerikan dhe atij britanik, që të mos dalin në zyrë në ndërtesën e komunës deri sa situata është e tensionuar.

Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut ishin të vetmit që iu përgjigjën ftesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier për t’u takuar të hënën, pas situatës së krijuar atje.

Ndërsa dy kryetarët e tjerë, ai i Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ishin të pranishëm në këtë takim e as në takimin me ambasadorin amerikan, Nicholas Abbott.

Për daljen në zyrë, dhe për situatën e krijuar atje, ambasadorët i kishin “qortuar”, kështu ka deklaruar për Albanian Post një natë më parë, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

“Ai ishte i shqetësuar pak, edhe na qortoi pak ambasadori për hapa të shpejtuar dhe për përdorimin e forcës, sepse ata nuk e kishin paraparë që të përdoret forca ashtu, por ja që ka ndodhur dhe ne u munduam t’ia tregojmë shqetësimet tona ambasadorit amerikan dhe përfaqësuesit të zyrës së BE-së në Kosovë”, tha Zeqiri.

Sipas Zeqirit, ambasadorët u kishin kërkuar që ata të vazhdojnë të punojnë nga zyrat për komunitete dhe të mos dalin në zyrat e komunës, deri sa situata të qetësohet.

“Ai (ambasadori amerikan në Kosovë) insiston që ne të funksionojmë nga ato zyrat ku jemi betuam, që të mos merren hapa të dhunshëm, me forca të policisë e gjëra të ngjashme, kjo ishte ajo që biseduam. Por të shohim tash se si po vendosim e po veprojmë. Ne u dakorduam që me dëshirë do të shkonim në zyrat e administratës komunale, për të funksionuar në mënyrë normale, por meqë ka probleme tash të shohim, ne edhe aty e cekëm, te ambasadori, që probleme po shkaktojnë bandat kriminale serbe duke i frikësuar, duke i dhunuar edhe vetë qytetarët shumicë atje e për t’i bindur ata që të veprojnë sipas tyre. Këto tema i biseduam me ambasadorët, por edhe ata ishin të informuar për këto gjëra, por megjithatë ai e quajti hap të ngutshëm këtë që bëmë ne”, shtoi më tej Zeqiri.

Pas takimit me dy nga katër kryetarët e ftuar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit ai ka deklaruar se është i shqetësuar me gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës dhe situatën e kishte përshkruar si “thellësisht shqetësuese”.  

“Qeveria e ShBA-së, por edhe ato të vendeve të QUINT-it, e kanë potencuar se sa e rëndësishme është që zyrtarët të hyjnë në institucionet shtetërore pa përdorimin e  forcës. Ky mbetet akoma qëndrimi ynë. Edhe me kryetarët e diskutuam se si mund ta kryejnë detyrën e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve, sidomos pa pasur nevojë për forcë që të hyjnë në institucione”, kishte thënë ai.

Më pas, ambasadori amerikan është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurtin, të cilit i ka propozuar që për të de-eskaluar situatën e krijuar në veri, të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga objektet e komunave.

“SHBA po kërkon që nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të shkojnë çdo ditë në këto ndërtesa, dhe sidomos në këtë kohë. Ashtu siç qeveria e gjeti mundësinë që ata ta bëjnë betimin në ndërtesa alternative ashtu mendojmë se duhet të evitohet edhe mënyra si punojnë. Këtë kërkon SHBA. Unë s’mund të them se çfarë do bëjë ai, unë ju them veç çfarë është këshilla jonë”, deklaroi ai.

Çfarë ndodhi dje në veri të Kosovës?

Kjo është përmbledhja e situatës së krijuar në veri dhe Kosovë pas vendimit të Qeverisë që përmes përcjelljes së policisë t’i çojë kryetarët e Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçanit në zyrat e tyre, të cilat mbaheshin nga strukturat ilegale që të hënën deshën t’i kthejnë sërish.

Protesta filloi qysh në orën 07:00 në mëngjes, për të vazhduar edhe pas orës 19:00 në mbrëmje.

Në krye të këtyre protestave qëndronin përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, të dirigjuar nga Beogradi – me në krye kryetarin e saj, Goran Rakiç.

Qytetarët serbë që ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit deklaronin se aty ishin vetëm për një qëllim; të pengonin hyrjen e kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit në zyrat e tyre, të cilët të premten, në një situatë të tensionuar, përmes asistencës së Policisë së Kosovës kishin arritur që ta bënin një gjë të tillë.

Për të ofruar siguri, KFOR-i amerikan kishte vendosur një perimetër për të mos i lënë protestuesit që t’i ofroheshin objekteve të komunave.

E për të ‘negociuar’ me amerikanët kishin shkuar nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiç dhe ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiç.

Por, përgjigja e ushtarit amerikan ishte e prerë.

“Jemi këtu për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Nuk jam këtu për të negociuar. Unë i zbatoj urdhrat”, dëgjohej duke thënë ushtari amerikan.

Protestuesit kishin tentuar të hynin me forcë në objektin e komunës së Zveçanit, por ishin ndaluar nga forcat policore të  cilët kishin përdorur edhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.

Nga ana tjetër, për atë që po protestonin që të mos futeshin në objektet e komunave, pra kryetarët, ishin ftuar në një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Mirëpo, nga 4 kryetarët e komunave Veriore që ishin të ftuar, vetëm dy nga ata shkuan. Izmir Zeqiri – kryetar i Zubin Potokut dhe Ilir Peci – kryetar i Zveçanit, morën pjesë në takimin e thirrur nga Hovenier.

Ndërsa, Lulizim Hetemi – kryetar i Leposaviqit dhe Erden Atiq – kryetar i Mitrovicës Veriore, të dy këta nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk iu përgjigjen pozitivisht ftesës së ambasadorit amerikan.

Mirëpo, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, deklaroi se ndihet keq që në takimin që pati së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, kryetarët e rinj të Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore nuk morën pjesë.

Si rrodhën gjërat më pas?

Pas përplasjeve mes policisë së Kosovës dhe disa protestuesve serbë që provuan të futen në objektet komunale në Veri të Kosovës, kordonin e sigurisë para objekteve e formuan trupat e NATO-s, kryesisht ata amerikanë.

Në mes të policisë që ishte krejt në hyrje të objekteve dhe protestuesve që janë vendosur në oborre, qëndronin kordonët e forcave të NATO-s, pra situatën po e merrte në kontroll KFOR-i.

Lista Serbe

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, u paraqiti dy kërkesa që ia përcolli përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë.

Kjo me qëllim që protestuesit serbë të tërhiqeshin nga ndërtesat e komunave në Veri, ku ishin mbledhur.

“Kërkesat tona janë që sherifët siç e quajnë veten të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, ka deklaruar Rakiç gjatë fjalimit të tij në Zveçan.

Njoftimi fillestar i KFOR-it

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri të ditur se kishte shtuar praninë në katër komunat Veriore pas zhvillimeve.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, kërkoi nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim”, njoftonte KFOR-i.

Kërcënimi i Serbisë

Ministri i Mbrojtes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, kishte thënë se deri në orën 14:00 pasditen e së hënës do të “përfundojnë dislokimi i njësive ushtarake” në kufirin me Kosovën, në përputhje me urdhrin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që ushtria serbe të mbetet në gatishmëri luftarake.

“Njësitet e Ushtrisë së Serbisë do të jenë të përgatitura për të kryer çdo urdhër, me shpresën që të gjejmë zgjidhje politike”, deklaroi Vuçeviç për mediat serbe.

Reagimi fillestar i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në llogarinë e tij në Twitter, se në një telefonatë me kryediplomatin italian, Antonio Tajani, kishte shprehur pajtimin se në Veri situata duhet të qetësohet.

Kurti shkruante se tash është koha për implementimin e Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel me 27 shkurt dhe se për këtë është pajtuar edhe Tajani.

“Pata telefonatë me zëvendës-kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani. U pajtuam të dy se situata e tanishme thërret për implementimin e Marrëveshjes Bazike dhe se situata në veri të qetësohet”, shkroi Kurti.

Kurtit për situatën e krijuar në Veri të Kosovës iu desh që të takohej me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Ndërhyrja e KFOR-it

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve serbë në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Përplasjet dhe sulmet e serbëve mbi ushtarët e KFOR-it ishin të ashpra, çka edhe u vërtetua më vonë, ku u bë me dije se një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it u lënduan.

Pamje gjate perplasjes

Serbët ishin tejet të dhunshëm në kundërshtimet e tyre.

Si pasojë e këtyre kundërshtimeve, ajo çka u kuptua më vonë ishte mjaft e tmerrshme; 41 pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vinin nga Zveçani shihej një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Reagimet ndërkombëtare pas dhunës së serbëve mbi ushtarët e KFOR-it

Fillimisht ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ai që dënoi sulmet e dhunshme të protestuesve serbë kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan, ku edhe bëri të ditur se 11 ushtarë të KFOR-it italianë janë lënduar, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai tha se “dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare”.

Antonio Tajani

“Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, kryediplomati italian theksoi se “ushtria vazhdon të punojë për paqen”.

Përveç kryediplomatit, reagim pati edhe nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Meloni përmes një cicërime në Twitter, theksoi se “në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë”.

“Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, shkroi ajo në Twitter.

Giorgia Meloni

Ndërkaq, kryeministrja e Italisë potencoi se “ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it”, duke shtuar se “është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve”.

“Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë”, shtoi ajo.

Ndërkaq, e para e ekzekutivit italian potencoi se  “konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”.

Ndërsa, edhe Aleanca Veri-atlantike përmes një komunikate për media reagoi ndaj sulmeve dhe lëndimeve të trupave të KFOR-it në Veri të Kosovës nga protestuesit e dhunshëm serbë, kryesisht në qytetin e Zveçanit.

“NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”, thuhej në reagimin e NATO-s.

Po ashtu, Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë dënoi sulmet e dhunshme “të papranueshme” në veri të Kosovës pasditen e sotme.

“Ne bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet”, thuhej ndër të tjera në reagimin e diplomacisë gjermane.

Reagim pati edhe nga Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, shkroi ai në Tëiiter.

Po ashtu Borrell nënvizoi se e dënonte sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në Zveçan.

“BE dënon dhunën tronditëse të sotme në Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm. Veprat e dhunshme të kryera ndaj NATO-s KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, shtoi ai.

Reagimet në Kosovë

“Ndaj shqetësimin për dhunën dhe dënoj sulmet kundër Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve”, shkroi Kurti, duke treguar se kishte pasur një takim “me ambasadorët e QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së”.

Ai ka përmendur edhe shkrimet nacionaliste serbe që si grafitë i lanë protestuesit serbë nëpër makinat e KFOR-it.

“Mbishkrimet ultra-nacionaliste serbe mbi automjetet e NATO-s janë një kujtesë e errët në Kosovë. Ne mbrojmë paqen dhe sigurinë”, shkroi Kurti në Twitter

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në llogarinë e saj në Twitter se eskalimin e situatës në Veri e shkaktuan bandat kriminale që udhëhiqen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Strukturat ilegale të Serbisë të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiç-it për të destabilizuar Veriun e Kosovës, duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Reagim pati edhe nga i pari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Dënoj ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren. Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë”, shkroi ai në Facebook.

Opozita

Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në terren, Kryetari i Partisë Deokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kërkoi nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani që ta mbledhin Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për tensionet e rënda të krijuara në pjesën veriore të vendit dhe dënon fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it”.

“Duke e kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit, ftojmë Presidenten dhe Kryeministrin që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

Kërkesë e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte që kryeministri Albin Kurti të mos ndërmarrë asnjë veprim pa konsultim me aleatët.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për qetësimin e situatës! Po ashtu, i kërkoj kryeministrit që të mos ndërmarrë asnjë veprim pa koordinim të plotë me aleatët – ShBA, BE dhe NATO”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa, përmes një komunikate zyrtare në rrjetin social “Facebook”, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se “dënonojmë ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në veri të vendit”.

“Sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë”.

“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”, shtuan nga LDK.

Po ashtu, një grup intelektualësh nga Kosova (Agon Maliqi, Enver Hasani, Leonora Kryeziu, Lulzim Peci, Qëndrim Gashi, Ramadan Ilazi, Visar Ymeri), iu drejtuan me një letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku i kërkuan Qeverisë së Kosovës që “ta rivendos me urgjencë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë perëndimor, me të cilët i ndajmë si vlerat ashtu edhe të ardhmen tonë”.

Në letrën e intelektualëve kosovarë thuhet se “si qytetarë të Republikës së Kosovës, të shënuar sipas rendit albafetik, shprehim shqetësimin tonë më të thellë për situatën alarmante në pjesën veriore të Kosovës. Sot janë sulmuar e lënduar qytetarë, gazetarë, policë e ushtarë të KFOR-it”.

“Nuk ka dyshim se, burimi kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor, qëndron në politikën hegjemoniste dhe ambiciet territoriale të Beogradit, të cilat, pa asnjë dyshim,  janë në një linjë me objektivat e politikës së jashtme ruse në këtë pjesë të Evropës. Në këtë kuptim, veprimet e Serbisë janë të dukshme dhe u shprehën  në dhunën e orkestruar nga ajo në veriun e Kosovës”, shtuan ata.

Mirëpo, sipas tyre, përkundër kësaj kjo “në asnjë mënyrë nuk e absolvon Qeverinë Kurti nga përgjegjësia, e cila po e shmang koordinimin e ngushtë me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në, përkundër faktit që KFOR-i ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë në këtë pjesë të vendit”.

Po nga Serbia e Rusia?

Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, deklaroi se situata të Kosovë “është alarmante”, dhe pretendonte se “një shpërthim i madh mund të ndodhë në qendër të Evropës”.

Lavrov, siç pritej për situatën e krijuar në Kosovë – ku protestuesit e dhunshëm serbë, kryesisht në qytetin e Zveçanit, kanë sulmuar trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, duke lënë të lënduar 41 prej tyre – akuzoi vendet e Perëndimit.

Sergey Lavrov

“Ata kanë shkelur të gjitha parimet e Kartës së Helsinkit dhe dokumentet e tjera të OSBE-së. Situata është alarmante, por Perëndimi ka nisur rrugën e nënshtrimit total të kujtdo që shpreh mendimin e tij në çfarëdo mënyre”, theksoi Lavrov para gazetarëve.

Nga ana e tij, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, potencoi se ka muaj që thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vetëm një dëshirë – “ta çojë në gjakderdhje gjithë rajonin”.

Por, shtoi ai, “pak njerëz deshën për ta dëgjuar atë dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh vërtetë në Kosovë”.

Megjithatë, Vuçiç pohoi se “në tre ditët e fundit ‘edhe një idiot’ mund të kuptojë se çfarë po ndodhë”.

“Dëshira e Kurtit është që të ketë konflikte të mëdha mes serbëve dhe NATO-s dhe ai të lajë duart dhe të thotë se nuk ka lidhje me të”, pohoi Vuçiç në konferencë për media dhe shtoi se ka pasur bisedime me amerikanët, gjermanët dhe evropianët.

Gazetarët

Një risk të madh në tërë këtë situatë të krijuar e patën edhe gazetarët të cilët po e kryenin detyrën e tyre në mënyrë që t’i mbanin sa më të informuar qytetarët e Kosovës për ata çka po ngjante në Veri të Kosovës.

Mirëpo, ata nuk kaluan pa pasoja; u bënë cak i provokimeve të serbëve, madje disave iu dëmtuan makinat e tyre, njëra prej të cilave u përfshi nga zjarri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore