Lajme

Ministri serb i Mbrojtjes njofton për dislokimin e ushtrisë në afërsi të Kosovës


Ilustrim

Ministri i Mbrojtes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se deri në orën 14:00 pasditën e së hënës do të “përfundojnë dislokimi i njësive ushtarake” në kufirin me Kosovën, në përputhje me urdhrin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që ushtria serbe të mbetet në gatishmëri luftarake.

“Njësitet e Ushtrisë së Serbisë do të jenë të përgatitura për të kryer çdo urdhër, me shpresën që të gjejmë zgjidhje politike”, deklaroi Vuçeviç për mediat serbe, transmeton një ndër portalet e pakta në gjuhën serbe “KoSSev” me seli në veri të Kosovës.

Vuçeviç pati kritika dhe u përzie edhe në punët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), për të cilët theksoi se po mbrojnë Policinë e Kosovës dhe “uzurpuesit e demokracisë”, pasi këta të fundit, kryesisht trupat amerikane, formuan kordonin e sigurisë para objekteve komunale.

Ai komentoi edhe takimin mes kryetarëve të sapozgjedhur të Zveçanit e Zubin Potokut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, lidhur me situatën e tensionuar në veri të vendit.

Në takim ishin ftuar edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, të cilët fituan zgjedhjet e 23 prillit me Lëvizjen Vetëvendosje, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë takim për aryse ende të panjohura.

“Kordoni i KFOR-it më duket që është kordon për të mbrojtur Policinë së Kosovës… Sot ambasadori amerikan në Prishtinë i quajti këta kryetarë të vetëshpallur, të zgjedhur nga zgjedhjet në kontejnerë, dy prej të cilëve u përgjigjën, dy nga partia e [Hashim] Thaçit, e dy nga ajo e [Albin] Kurtit”, tha Vuçeviç.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore