Sport

Solskjaer dëshiron tre transferime te United në merkaton e janarit


Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, po kalon një periudhë jo të mirë, megjithatë pritet të konfirmohet përsëri në krye të “Djajve të Kuq”.

Ata gjenden nëntë pikë larg udhëheqësve të Premier League. Si alternativë shpëtimi pas dëmtimeve, tekniku Solskjaer e riktheu vëmendjen te një objektiv i vjetër i skuadrës: mbrojtësi i Sevillas, Jules Kounde.

Gjithashtu, ai ka shfaqur interes edhe për mesfushorin e Inter-it, Marcelo Brozovic-in, dhe atë të Monaco-s, Aurelien Tchoumeni-n, raporton britanikja “The Sun”.

Jules Kounde

Qendërmbrojtësi 23-vjeçar, që aktivizohet te Sevilla në La Liga, ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm te Chelsea në verën e kaluar.

Lojtari i kombëtares franceze kushton 60 milionë euro, sipas “Trasfermarkt”-it.

Marcelo Brozovic

Lojtarit kroat i përfundon kontrata me italianët në qershorin e ardhshëm. Inter-i mund ta nxjerrë në merkaton e janarit 29-vjeçarin, për të mos e humbur me parametra zero në verë.

Aurelien Tchouameni

21-vjeçari i Monaco-s është bërë i njohur në Francë që nga koha e debutimit me Bordeaux në vitin 2018.

Tchouameni është një nga talentet më të njohura në Evropë. Skuadra si Manchester City, Chelsea, Liverpool-i, Tottenham-i, Newcastle dhe Real Madrid-i janë të interesuara për shërbimet e tij.

Skuadra e Monaco-s kërkon rreth 51.2 milionë paund për ta lënë të lirë mesfushorin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore