Sport

Sokoli dhe Munishi për Albanian Post komentojnë Superligën e klubeve evropiane


Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi

Trajnerët e futbollit Bylbyl Sokoli dhe Ismet Munishi janë përfshirë në debatin tashmë global për ndryshimet në futbollin evropian dhe formimin e Supërligës Evropiane.

Në një prononcim për Albanian Post trajneri dhe profesori i njohur në Kosovë, Bylbyl Sokoli, tha që kjo ligë po bëhet për përfitime më të mëdha financiare nga klubet gjigante evropiane.

“Formimi i kësaj lige tregon një përçarje mes klubeve të mëdha evropiane me UEFA-n, të cilët dëshirojnë ta formojnë ligen dhe të kenë përfitime më të mëdha financiare”.

“Klubet e mëdha gjithashtu dëshirojnë t’i ikin përballjeve me klubet e vogla, të cilat gjithashtu përfitojnë shumë nga UEFA, edhe pse kanë investime dhe angazhime më pak se klubet e mëdha”, tha Bylbyl Sokoli për Albanian Post.

Sokoli shtoi se kjo ligë me shumë mundësi do të hasë në vështirësi në fillimin e saj.

“Nuk besoj qe FIFA dhe UEFA do te lejojnë këtë ligë, dhe fillimi i saj do të ketë shumë vështirësi, pasi që UEFA nuk do të lejojë të ketë një ligë konkurrente me Ligën e Kampionëve”.

Ndërsa trajneri aktual i ekipit të Gjilanit, Ismet Munishi, pohoi që kjo ligë është krijuar, pasi që klubet e mëdha evropiane iu kundërpërgjigjën UEFA-s, meqë politika e tyre ishte gjithmonë e përqendruar në vendet e pazhvilluara.

“Unë mendoj që është luftë e madhe mes klubeve të mëdha dhe politikës së UEFA-s, sepse politika e tyre është avancimi i futbollit në shtetet e pa zhvilluara”.

“Krijimi i Superligës, është kundërpërgjigje për politiken e UEFA-s nga klubet e mëdha, pasi që ato kohëve të fundit e kanë ndjerë krizën, dhe po luftojnë për financa, pasi që siç po flitet, do të ketë përfitime të shumta financiare nga kjo ligë”, tha Ismet Munishi për Albanian Post.

Real Madrid, Barcelona, Atletico, Manchester City, Manchester United, Arsenal, Chelsea, Tottenham, Liverpool, Juventus, Milan dhe Inter janë 12 klubet që kanë nënshkruar kontratën për formimin e Superligës Evropiane, që do t’i sillte fitime të majme klubeve të lartpërmendura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore