Lajme

Sofja ri-konfirmon qëndrimin e saj ndaj Shkupit


Kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov

Disa ditë para vizitës së tij në Shkup, kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, ka përsëritur se Sofja zyrtare nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me negociatat me Maqedoninë e Veriut, por se do ta mbi-ndërtojë atë.

Kryeministri bullgar Petkov është pyetur në Kuvendin bullgar nga deputetja Ekaterina Zaharieva, nëse qeveria e re e udhëhequr nga ai e ka ndërmend të ndryshojë konsensusin nacional me diçka tjetër, ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka deklaruar se negociatat me Shkupin do të zhvillohen sipas marrëveshjes së koalicionit mes partive qeverisëse.

“Pozita e Republikës së Bullgarisë për procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut është brenda pikave ashtu siç jemi dakorduar gjatë formimit të koalicionit që është bërë ‘online’ dhe patën mundësi ta shohin të gjithë qytetarët bullgarë”.

“Ajo pozitë mbetet dhe e mbi-ndërtojmë me pesë komisione të ndryshme. Kemi koordinim të plotë në Këshillin e ministrave për këtë temë dhe shkuarja në bisedime më 18 janar tregon se fqinjësia e mirë është parim bazë në marrëdhëniet tona me Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Petkov, transmeton mediumi bullgar Dnevnik.

Tutje ai ka thënë se pesë grupet që do të formohen do të bisedojnë për çështje të rëndësishme mes dy vendeve.

“Unë nuk e kuptoj se pse në vitin 2021 ne nuk kemi pasur asnjë fluturim nga Sofja në Shkup. Nuk e kuptoj pse në vitin 2021 nuk kemi asnjë linjë hekurudhore Sofje-Shkup”.

“Nuk e kuptoj pse nuk kemi një kalendar të përbashkët kulturor dhe më shumë bashkëpunime mes bizneseve tona” ka thënë kryeministri i Bullgarisë, Krill Petkov.

Pesë grupet e punës mes dy vendeve do të jenë në fushat infrastrukturë, ekonomi, kulturë, euro-integrime dhe historisë.

Kryeministri bullgar, Petkov do të vizitoj Shkupin më 18 janar së bashku me ekipin e tij, pasi Dimitar Kovaçevski të ketë marrë detyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Dimitar Kovaçevski

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore