Lajme

Skandali i fermës së Marihuanës “Jovanjica” në Serbi, të përfshirë krerët e lartë shtetërorë


Ferma e madhe e Marihuanës 'Jovanjica' në Serbi

Predrag Koluvija, pronari i fermës më të madhe të Marihuanës në Evropë ‘Jovanjica’ pretendon se bashkëpunëtorë të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Setafoniç, e kanë nxitur të akuzojë rrejshëm vëllaun e Vuçiçit, Andrej Vuçiç.

Ai këtë gjë e deklaroi të premten, dhe tha se në aksionin policor ku u gjetën lëndët narkotike, ai nuk u arrestua nga policia por u rrëmbye, rrëmbim ky të cilin ai deklaroi se ka ndodhur nën urdhërat e minstrit të atëhershëm të Brendshëm të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.

Për ta bërë këtë situatë edhe më groteske, Koluvija këtë deklaratë, e bëri gjatë transmetimit televiziv dy-orësh me avokatin e tij, Vladomir Gjukanoviç, deputet nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), i cili është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Gjyqësor, dhe anëtar i Këshillit Shtetëror të Prokurorëve.

Predrag Koluvija, pronari i fermës më të madhe të Marihuanës në Evropë ‘Jovanjica’

Në intervistën me Gjukanoviçin, i cili përveç gjërash tjera provon të bëjë edhe punën e gazetarit, Koluvija thotë se ‘rrëmbimi’ i tij ndodhi pasi që ai pati refuzuar ofertën e gjigantit ekonomik të duhanit amerikan Philip Morris, për t’ua shitur biznesin e rritjes së ushqimit organik, për 800 milionë euro.

“Pas kësaj nisi trysnia dhe kërcënimet ndaj meje, ku gjithçka përfundoi me rrëmbimin tim në nëntor të 2019-tës në autostradën Beograd-Nish. Aty mu kërkua që të akuzoj rrejshëm Andrej Vuçiçin, vëllaun e Presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, deklaroi Koluvija.

“Kur më ndaluan në autostradë, inspektori Sllobodan Milenkoviç bëri një telefonatë, ku urdhëroi që të më prangosin dhe të më mirren telefonat. Dëgjova disa herë gjatë bisedës së tyre telefonike ku oficerët e policisë thonin se Milenkoviç ka urdhëruar arrestimin tim, dhe nga biseda e tyre kuptova se kishin biseduar me dikë nga kabineti i Ministrisë së brendshme”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Ferma e Marihuanës ‘Jovanjica’

Arrestimi i Koluvijas

Pas arrestimit, Koluvija thotë se është detyruar që të akuzojë rrejshëm Andrej Vuçiçin (vëllaun e Vuçiçit) për “prodhim të marihuanës” në fermën Jovanjica, dhe që si këmbim përë këtë, do të lirohej.

“Ata ishin të bindur se do të pranoja këtë ofertë. Më kërkuan që të thoja se po punoj për Andrej Vuçiç dhe Zvonko Veselinovic (një kriminel në Kosovën veriore, i afërt me partinë SNS (partia e Vuçiçiçit). Më thanë që të them se Andrej prodhon diku në Vrbas dhe diku në Serbinë jugore”.

“Inspektori i policisë Dushan Mitiç, i cili identifikoi veten si kreu i operacioneve në Administratës së Krimeve Policore (UKP) më kërkoi që t’i fajësojë ata, të nënshkruaj te prokurori që Andrej Vuçiç dhe Zvonko Veselinoviç ishin shefat e mi. Ai më tha se nëse bëj me gisht nga dikush që është më i fortë se une, dikush më i madh, do të mund t’ia hedhja paq burgut pa u ndëshkuar. Prokuroi Dreçun ishte para zyrës sime gjatë tërë kohës. Ai po priste që unë të pranoja ofertën dhe të futesha në dhomë”, deklaroi Koluvija.

Ferma Jovanjica

Ai madje pohoi se e njeh personaisht Nebojsha Stefanoviçit, ish-ministrin e brendshëm serb, tash ministër i mbrojtjes.

Pronari i fermës së marihuanës ka qenë pjesë e delegacioneve shtetërore në disa raste dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka marrë subvencione nga shteti për të punën e tij agrikulturore, si dhe ka pasur vizitë promovuese nga ministri Aleksandër Vulin, dhe zyrtarë të tjerë të shquar shtetërorë dhe anëtarë të partisë në pushtet në Serbi.

Vulin: Do të marrim në pyetje edhe Koluvijen edhe Stefanoviçin

Ministri serb Aleksander Vulin

Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se autoritetet do të mirren me Ministrin e Mbrojtjes dhe me pronarin Koluvija, në lidhje me deklaratat e dhëna në Tv Objektiv, si dhe gazetën dhe portalin online nën pronësi të këtij televizioni.

“Askush s’është i mbrotjur nga Aleksandër Vuçiç, as edhe Stefanoviçi”, tha ai.

Ndërsa pyetur se si ka mundësi që një zyrtar i lartë shtetëror si Gjukanoviç të intervistojë një kriminel si Koluvija, Vulin tha se deputeti në fjalë  “është njeri shumë Serioz”.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, tha se personalisht nuk beson në përfshirjen e Stefanoviçit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Pres që policia t’i marrë në pyetje të gjithë. Personalisht do të befasoesha nëse Stefanoviçi është i përfshirë”, ka thënë Vuçiç, ndërsa këtë ngjarje e cilësoi si  “shumë të çuditshme” por se gjithçka duhet të ekzaminohet.

“Ky njeri i cili ka kaluar dy vite në burg është i përgatitur të shpjegojë se kush është fajtor për skandalin Jovanjica”, tha presidenti serb.

“Ditëve në vijim do të ketë shumë punë për shkak të këtij rasti, dhe do të kuptojmë se kush do t’i nënshtrohet poligrafit. Plani dikujt siç duket do të del në pah sepse Koluvija ka vendosur të tregojë gjithçka dhe të hyjë në poligraf”, tha mes të tjerash Aleksandër Vuçiç.

Por, Vuçiç beson se dikush nga Ministria e Brendshme ka gisht në këtë skandal.

Stefanoviç mohon të gjitha akuzat.

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç

Ai të shtunën deklaroi se është në gjendje t’i nënshtrohet testit të vërtetësisë dhe t’i përgjigjet çfarëdo pyetjeje lidhje e rastin e Jovanjica.

“Është e sigurtë që në lidhje me Vuçiçin dhe familjen e tij, unë jam i interesuar të zgjidhim plotësisht të gjitha rethanat me rastin Jovanjica, si dhe të përcaktojmë vërtetësinë e asaj që i dyshuari Koluvija ka thënë”, ka deklaruar këtë të shtune Ministri serb i Mbrojtjes, Stefanoviç.

“Është tejet e rëndësishme të përcaktojmë nëse dikush nga ministra e brendshme e ka detyruar Koluvija të akuzojë rrejshëm Andej Vuçiç ose këdo tjetër, në mënyrë që të arrijmë të vërtetën e plotë e atyre njerëzve se kush janë e çka kanë nxitur”.

“Për këtë arsye, si dikush tejet i interesuar në të vërtetën e plotë, po e vendos veten nën dispozicionin e autoriteteve dhe jam në gjendje të përgjigjem për gjithçka, edhe ti nënshtrohem poligrafisë”, deklaroi Stefanoviç.

Drejtori i Policisë Vladimir Rebiç thotë se Koluvija po gënjen

Drejtori i Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiç

Ai ka deklaruar se Koluvija po bën pohime absurde, dhe se po gënjen që është nxitur të akuzojë rrejshëm Andrej Vuçiçiç.

Deputeti Gjukanoviç i partisë së Vuçiçit thotë se Drejtori i Policisë po gënjen e jo Koluvija.

Ndërsa lideri opozitar, Miroslav Aleksiç ka lajmëruar padi ndaj Gjukanoviçit dhe Koluvijas për shpifje.

Krejt kjo është një ngjarje që i ngjason një përbindëshi me shumë koka, e cila pritet të shihet si do të zhvillohet më tej.

Serbia radhitet e dyta në Evropë për krim të organizuar, sipas Indeksit të Krimit të Organizuar, ndërsa e 33-ta në rrafshin e shteteve anëtare të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore