Lajme

‘Situatë ekstreme’, shkrirje rekord e akullit në Antarktidë


Zona e akullit rreth Antarktidës ka arritur një rekord të ulët.

Shkencëtarët raportojnë se “nuk kanë parë kurrë një situatë kaq ekstreme më parë”.

Sakaq, shtrirja e akullit pritet të tkurret edhe më shumë përpara se të përfundojë sezoni i shkrirjes së verës të këtij viti.

Ndikimi i krizës klimatike në shkrirjen e akullit është i qartë në të dhënat që shtrihen nga viti 1979.

Akulli atje ndryshon shumë më tepër nga viti në vit, gjë që e ka bërë më të vështirë për të parë një efekt nga ngrohja globale.

Megjithatë, humbjet “e jashtëzakonshme” të akullit në Antarktik në gjashtë vitet e fundit tregojnë se nivelet rekord të nxehtësisë dhe ndryshimet e lidhura me modelet e motit mund të nënkuptojnë se kriza klimatike po manifestohet.

Tanimë, shkencëtarët janë shumë të shqetësuar për akullin e Antarktidës.

Modelet e klimës sugjeruan që në vitin 2014 se shtresa gjigante e akullit të Antarktikut Perëndimor, e cila ndodhet në kontinent, ishte e destinuar të shembet për shkak të niveleve të ngrohjes të në atë kohë.

Studiuesit kanë paralajmëruar se humbja në rritje e akullit i ekspozon akullnajat ndaj valëve që përshpejtojnë shpërbërjen dhe shkrirjen e tyre.

“Kurrë nuk kam parë një situatë kaq ekstreme pa akull këtu më parë”, ka thënë profesor Karsten Gohl, nga Qendra Helmholtz për Kërkimet Polare dhe Detare në Institutin Alfred Wegener, Gjermani.

Ai e ka vizituar për herë të parë rajonin në vitin 1994.

Po ashtu profesor Christian Haas, në Qendrën Helmholtz, ka thënë se “rënia e shpejtë e akullit të detit gjatë gjashtë viteve të fundit është mjaft e jashtëzakonshme, pasi mbulesa e akullit thuajse nuk ka ndryshuar fare në 35 vitet e mëparshme”.

Shkencëtarët në Qendrën Kombëtare të të Dhënave të Borës dhe Akullit në SHBA kanë thënë gjithashtu se është vendosur një rekord i ri i ulët.

Ata kanë dalluar se shtrirja e akullit të detit Antarktik ra në 1.91 milion kilometra katrorë më 13 shkurt, nën rekordin e mëparshëm të vendosur më 25 shkurt 2022.

“Në vitet e kaluara, minimumi vjetor ka ndodhur midis 18 shkurtit dhe 3 marsit, kështu që pritet një rënie e mëtejshme”, kanë shtuar studiuesit.

“Pjesa më e madhe e bregut të Antarktidës është pa akull. Studimet e mëparshme kanë lidhur mbulesën e ulët të akullit të detit me streset e shkaktuara nga valët në mbulesat e akullit lundrues që rrethojnë kontinentin, duke çuar në ndarjen e zonave më të dobëta”, kanë shtuar ata.

Sipas tyre, “shkrirja intensive” mund të jetë për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta të ajrit në perëndim dhe lindje të gadishullit Antarktik, të cilat ishin rreth 1.5 gradë mbi  mesataren afatgjatë.

Dhe se rezultati është “shkrirja e intensifikuar e akullit, një aspekt thelbësor i rritjes së ardhshme globale të nivelit të detit”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore