Kosova

Sindikata e Mësuesve të Amerikës mbështesin grevën e SBASHK-ut


Kryesia e SBASHK-ut

“Ne mbështesim mësuesit e Kosovës dhe përpjekjet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës për paga, respekt dhe njohje”.

Kështu thuhet në letrën mbështetëse të Sindikatës së Mësuesve të Amerikës (AFT) e dërguar SBASHK-ut, pas shpalljes së grevës së përgjithshme nga ana e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas kryetares së kësaj sindikate, Randi Weingarten, punëtorët arsimor meritojnë paga më të dinjitetshme si dhe vlerësim më të madh të punës së tyre.

“Jemi të nderuar që bashkëpunojmë me SBASHK-un dhe me krenari e vlerësojmë shërbimin tuaj të përkushtuar ndaj anëtarësisë suaj. Ne e dimë se në ditët në vazhdim, anëtarët e SBASHK-ut do të mbrojnë të drejtat e tyre, dhe ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë”, thuhet në letrën mbështetëse e dërguar nga Sindikata e Mësuesve të Amerikës.

Tash e tri javë greva në arsimin e Kosovës është duke vazhduar.

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh.

Edhe pas takimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes dy palëve.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore