Lajme

Siguria dhe bashkëpunimi në fokus të takimit mes Gërvallës dhe Berro-Amadei


Donika Gërvalla-Schwarz dhe Isabelle Berro-Amadei

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në kuadër të vizitës dy ditore në Monako, takoi kyediplomaten e principatës, Isabelle Berro-Amadei, ku në fokus të diskutimeve ka qenë situata e sigurisë në Kosovë pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë më 24 shtator 2023 dhe forcimi i bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Monakos.

“Në atmosferë tejet miqësore u diskutuan tema të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare, forcimin  dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral, zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimin e përvojave në diplomacinë publike”, thuhet në njoftimin e diplomacisë kosovare.

Ndër të tjera, kryediplomatja kosovare falënderoi Monakon për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e telekomunikimit, anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), mbështetjen e Kosovës në fitimin e së drejtës për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030 (Prishtina 2030) dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Në fund të komunikatës bëhet e ditur se ministrja Gërvalla falënderoi ministren Berro-Amadei për mikpritjen e përzemërt dhe e ftoi të vizitojë Kosovën. Monako është një vend i vogël evropian që mbështet zhvillimin, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore