Shqipëria

Si po ndikon Budapest-i politikisht dhe financiarisht në Ballkan


Raporti i IPI-t (Instituti Ndërkombëtar i Shtypit), i publikuar shkurtin e kaluar me titullin “Kapitali hungarez në mediat e huaja – Tre modele strategjike të ndikimit në fqinjësi”, përfshinte artikuj që shqyrtonin se si, ku dhe pse Hungaria ka investuar në mediat e huaja vitet e fundit.

Një pjesë e raportit fokusohej në mënyrën sesi biznesmenë të afërt me kryeministrin Viktor Orban dhe partinë e tij qeverisëse Fidesz kishin blerë media në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut që nga viti 2017.

Një pjesë tjetër hidhte më shumë dritë akoma mbi ndikimin e Fidesz-it në mediat në komunitetet e pakicës hungareze në Serbi, Rumani dhe Sllovaki.

Këto të fundit, kishin marrë mbështetje financiare nga Budapest-i zyrtar, duke i sjellë mediat e tyre në një linjë të ngushtë me narrativën populiste të Orban-it.

Pjesa e tretë e raportit i kushtonte vëmendje krijimit në vitin 2019 të një agjencie të re ndërkombëtare të lajmeve, V4NA, në Londër, e cila projektonte narrativën e Fidesz’it më tej, në një peizazh mediatik pan-evropian.

Ndikimi politik dhe financiar i Budapestit në Ballkan është rritur vitet e fundit. Në veçanti, Orbán është shprehur për interesat serbe dhe boshnjake serbe të Bosnjës.

Kështu shkruan studiuesi italian Gianmarco Bucci për East Journal.

Qeveria hungareze ka dhënë një kredi prej 110 milionë euro për Republikën Srpska, entitetin me shumicë serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës, nëpërmjet një banke publike hungareze, EXIM.

Huaja shumë e favorshme vjen në një moment shumë delikat për Republika Srpska: sipas Telex, gazetës së pavarur hungareze, njësia ekonomike do të kishte rrezikuar falimentimin pa një ndërhyrje të tillë.

Në të vërtetë, qeveria e Milorad Dodik-ut do të ishte rënduar nga borxhet për shkak të rritjes së pensioneve dhe pagave të nëpunësve civilë të dhëna gjatë fushatës së fundit elektorale.

Një lëvizje, ajo e qeverisë hungareze, në përputhje të përkryer me afrimin e fundit midis liderit hungarez Orbán dhe Dodik.

Në fillim të vitit 2022, ministri i Jashtëm hungarez Szijjártó kishte shpallur veton ndaj çdo propozimi për sanksione të BE-së kundër liderit secesionist Dodik.

Në të njëjtin rast, qeveria Orbán kishte premtuar gjithashtu ndihmë financiare prej 100 milionë euro për Republikën Srpska, si pjesë e politikës së saj të “fqinjësisë së përgjegjshme”.

Hungaria, zëdhënëse e Serbisë në Evropë

Afrimi mes të dyjave, dhe aq më tepër mes Hungarisë dhe Serbisë, është edhe më befasues duke pasur parasysh politikën e fqinjësisë (zakonisht të keqe) të Hungarisë.

Prania e një pakice të fortë hungareze në rajonin serb të Vojvodinës mund të ishte një burim mosmarrëveshjesh të vazhdueshme, siç është rasti me Rumaninë, Sllovakinë dhe Ukrainën.

Përkundrazi, vitet e fundit Viktor Orbán është zotuar vazhdimisht të forcojë lidhjet e tij me liderin serb Aleksandar Vuçiç dhe së fundmi me Dodik.

Prandaj Orbán u bë zëdhënësi i interesave serbe në institucionet evropiane, duke shkaktuar mjaft konflikte brenda BE-së: me një letër të hapur kolegëve të tij, eurodeputeti hungarez Katalin Cseh (i partisë liberale Momentum) kishte denoncuar ndërhyrjen e përsëritur nga qeveria hungareze për të krijuar përçarje në politikën boshnjake.

Një grup deputetësh më pas ndoqën Cseh-un, duke i kërkuar Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen të hapte një hetim për një marrëveshje të dyshuar të fshehtë midis Komisionerit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, hungarezit Olivér Várhelyi dhe Dodik.

“Sfida myslimane” e Bosnjë Hercegovinës sipas Budapestit

Orbán kishte punuar shumë për të marrë portofolin e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së.

Pasi mori rolin, komisioneri hungarez filloi të nxiste anëtarësimin e Serbisë në BE.

Në rastin e Bosnjë Hercegovinës, deklaratat e qeverisë hungareze janë të mbuluara me racizëm dhe ksenofobinë: sipas asaj që u deklarua një vit më parë nga zëdhënësi ndërkombëtar i qeverisë Fidesz, integrimi i dy milionë myslimanëve do të përfaqësonte një sfidë të madhe për BE-në.

Megjithatë, anëtarësimi do të nënkuptonte një avantazh të madh për liderët evropianë: atë të sigurimit të një shteti pjesërisht mysliman.

Deklaratë e cila u pasua me përgjigjen e menjëhershme të Shefik Džaferovic, ish-anëtar boshnjak i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës: “Integrimi i dy milionë muslimanëve boshnjakë nuk është sfidë për BE-në, sepse ne jemi evropianë autoktonë që kemi jetuar gjithmonë këtu”.

Gjithnjë e më shumë para hungareze në Ballkanin Perëndimor

Disa ditë pas marrëveshjes për kredinë për Republikën Srpska, qeveria e Malit të Zi konfirmoi se kishte marrë një kredi prej 50 milionë eurosh nga Banka Komerciale e Malit të Zi (CKB), një tjetër bankë në pronësi hungareze.

CKB u mor nga një bankë hungareze, OTP, në vitin 2006.

Kjo e fundit më pas zgjeroi portofolin e saj në vendin e vogël, aq sa sot OTP-ja kontrollon drejtpërdrejt 40 për qind të sistemit bankar malazez.

Një prani e ngjashme masive e fondeve hungareze vërehet edhe në sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit.

Si dëshmi e interesit të madh të Viktor Orban-it për rajonin, që kur Fidesz erdhi në pushtet, shumë kompani hungareze, publike ose në çdo rast afër qeverisë, kanë investuar një sasi në rritje parash në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor.

Pikëprerjet me Tiranën

Ndërsa Tirana mund të ketë kryeqytete të tjera më afër se distanca prej një mijë kilometrash e Budapestit, kjo nuk ka qenë pengesë që kompanitë hungareze të bëhen disa nga lojtarët më kritikë në Shqipëri në vitet e fundit.

Kompania hungareze me kosto të ulët Wizz Air, e cila filloi të operojë në Shqipëri në prill 2017 me vetëm linjën Tiranë-Budapest, e ka shndërruar aeroportin kryesor shqiptar në një bazë, me fluturime në mbi 52 destinacione nga Tirana, me një një pjesë e konsiderueshme prej 51 për qind të tregut të Shqipërisë.

OTP Bank, banka më e madhe tregtare në Hungari, bleu 100 për qind të aksioneve në Societe Generale Bank Albania në vitin 2019.

Pas vetëm tre vitesh prani në tregun shqiptar, OTP Bank njoftoi në dhjetor 2021 se kishte blerë gjithashtu 100 për qind të aksioneve të filialit shqiptar të Alpha Bank, i cili kishte një pjesë totale të tregut të bazuar në aktive prej rreth 5 për qind.

Siç parashikuan shumë ekspertë, prania e OTP-së në Shqipëri do të thoshte më shumë besueshmëri për tregun shqiptar nga investitorët hungarezë.

Edhe Orbán foli për praninë e OTP-së në tregun shqiptar si një moment vendimtar në partneritetin mes dy vendeve.

Në fund të vitit 2021, u njoftua se 4iG PLC e Hungarisë do të fitonte 80.27 për qind të aksioneve të operatorit kryesor shqiptar të internetit dhe TV në linjë fikse, Albtelecom, i cili është gjithashtu një operator celular, dhe 99.8 për qind të aksioneve indirekte në One Telecommunications.

Të dy transaksionet u finalizuan në tremujorin e parë të vitit 2022, pas miratimit të Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës. Blerjet e Albtelecom dhe One Telecommunications kanë krijuar një grup lider në tregun e telekomunikacionit celular në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore