Bota

Si arritëm në inaugurimin e Joe Biden si Presidenti i 46-ë në SHBA?


Joe Biden, do të inaugurohet të mërkurën e 20 janarit, si Presidenti i 46-ë i SHBA-së. Ish zëvendëspresidenti nën administratën Obama dhe ish-senatori i shtetit të Delaware, fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale, ndaj presidentit në detyrë, rivalit të tij republikan, Donald Trump.

Në një proces zgjedhor ndër më të vështirët e historisë së SHBA-së, mes kontestimeve të shumta, Amerika do të shohë pas kësaj dite në detyrë, presidentin e saj të ri.

Por, si arriti Joe Biden, në vetëm një vit, të zgjidhej në detyrën më të rëndësishme të shtetit më të fuqishëm në botë?

Biden-i e shpalli qëllimin e tij për t’u futur në garë në prill të 2019-ës. Mbi 20 ligjvënës demokratë morën pjesë në primaret e zgjedhjes së kandidatit për president.

Procesi u shënjua nga debate të shumta. Ndërkohë që më parë favorit ishte demokrati Bernie Sanders, me futjen e Biden-it në garë, ky i fundit fitoi shumë terren.

Falë fitores në shtete kyçe, Biden u zyrtarizua si kandidat për president në gusht të 2020-ës. Nga aty, filloi lufta e ashpër kundër Donald Trump-it, për postin më të rëndësishëm në SHBA.

Një mori akuzash ndërmjet kandidatëve u bënë publike shumë shpejt. Biden-i akuzonte Trump-in për presidencën më të keqe në historinë e SHBA-së. Ky i fundit, nga ana tjetër, ishte i fokusuar të luftonte sistemin e politikanëve të vjetër në Amerikë.

Pika kyçe ku Biden-i përqendroi fushatën, ishte pa diskutim keq menaxhimi i situatës së Covid-19 në SHBA. Thirrjet ndaj paaftësisë së Trump-it për të menaxhuar situatën ishin të përditshme.

Debatet presidenciale dhe procesi zgjedhor

Debati i parë presidencial midis Biden-it dhe Trump-it u zhvillua në 29 shtator 2020. Ky ishte ndër debatet më të kritikuar në dekadat e fundit në SHBA. Fyerje të shumta, mungesë respekti dhe fjalët e hedhura në tym ishin detajet që e përkufizuan atë.

Debati i dyti, ishte më i moderuar. Pavarësisht kësaj, nuk munguan fyerjet. Falë debateve, Biden-i krijoi një diferencë të madhe në sondazhe. Pjesa më e madhe e exit poll-eve e nxirrnin atë fitues me 7-9 pikë.

Trump-i, gjithsesi, zhvilloi një fushatë të fuqishme ditët e fundit. Ai arriti të fitonte terren ndjeshëm.

Zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ishin zgjedhjet e para në shumë vite që nuk nxorën fituesin e qartë brenda ditës. Gjashtë shtete kishin afërsi të madhe votash. Trump-i, kundërshtoi rezultatet paraprake. Shumë shtete u çuan për rinumërim.

Punë patën edhe gjykatat, pas ankimimeve nga ekipi i Trump-it. Këto ankimime u hodhën të gjitha poshtë. Fituesi i zgjedhjeve presidenciale 2020 në SHBA, ishte Joe Biden.

Periudha post-zgjedhore, certifikimi dhe protestat në Capitol

Refuzimi për pranimin e rezultatit nga Trump-i e stërzgjati procesin e certifikimit. Pati tentativa edhe për bllokim të procesit. Shtatë senatorë republikanë kërkuan anulimin e votave të Arizona-s dhe Pennsylvania-s.

Çasti i certifikimit u shënjua edhe nga protestat e dhunshme në Capitol. Ndërtesa ikonë e demokracisë amerikane u bastis nga protestues të shumtë pro-Trump. Procesi u ndërpre për disa orë. Ligjvënësit u evakuan nga ndërtesa.

Vetëm pas sigurimit të vendit, ata u rikthyen në Senat dhe Kongres, dhe certifikuan Biden-in.

Inaugurimi, do të jetë nën masa të rrepta sigurie. Shumë pak personalitete do të jenë të ftuar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore