Shqipëria

Shtyhet seanca gjyqësore për kardiologun Edvin Prifti


Seanca gjyqësore për kardiologun Edvin Prifti, e cila ishte parashikuar të mbahet këtë të martë të 28 shkurtit, mësohet se është shtyrë.

Prifti akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, në shtatë raste.

Po ashtu për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Mësohet se seanca paraprake është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit Henrik Ligori.

Më herët ai e ka quajtur “arbitrar” gjyqin ndaj tij, pasi nuk provon sipas tij se ka abuzuar me fondet publike, apo me tenderë.

Përmes një reagimi në media sociale, Prifti ka shkruar se ndaj tij po bëhet një “persekutim i porositur” dhe qëllimi përfundimtar është dënimi i tij i padrejtë, si edhe mbajtja e fondeve të ligjshme të sekuestruara.

Prifti fillimisht shkruan se pas katër vjetësh hetime dhe tre vjet burgosje, SPAK i ka ngritur katër akuza tepër të rënda ndaj tij, duke e përndjekur në mënyrë “të egër”.

Gjithsesi, sipas tij, në asnjë rast nuk është provuar se ai ka abuzuar me fonde publike.

Ai hedh në parashtrim edhe argumentin se ka operuar mijëra shtetas shqiptarë nga zemra dhe vizituar dhjetëra mijëra të tjerë. Por asnjëherë nuk ka pasur rast abuzimi me punën.

Lidhur me shtatë raste të paraqitura në akuzën e SPAK, ku një katër ka rezultuar me fatalitet, ai thotë se janë fatkeqësi dhe se nuk lidhen me akte korruptive.

“I vetmi mesazh i imi (dhe jo i të tretëve) në një nga rastet është ai ku them qe pacientja duhet të vijë në QSUT se s’ka pse paguan. Ky mesazh nuk ndodhet sot e kësaj dite në dosjen e SPAK. E gjithë akuza bazohet në trillime dhe biseda midis të dytëve dhe të tretëve”, shkruan Prifti.

Çështja e tij ndërkaq, sipas mendimit të Priftit, po shfrytëzohen edhe për politikë ndër të tjera.

SPAK përfundon hetimet, dërgon para gjyqit mjekun kardio-kirurg Edvin Prifti

Për çfarë akuzohet?

Ai është akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, në 7 raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180 dhe 287 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.

Në vijim të një hetimi të gjithanshëm dhe objektiv të këtij procedimi, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë. Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434 319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67 914 368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7 600 USD.

Hetimi ka provuar se, i pandehuri prej vitit 2018, e në vijim, ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregëtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore etj., fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore.

Referuar njoftimit, Prifti është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe pajisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rritjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore.

Por edhe për të justifikuar shumat e derdhura Cash në llogaritë e këtyre bizneseve, shuma të cilat më pas janë tërhequr prej tij, dhe janë depozituar në llogaritë personale.

“Në këtë mënyrë ai ka justifikuar burimet e të ardhurave, pa origjinë të ligjshme të cilat megjithatë nuk janë justifikuar plotësisht. Ky mekanizëm, veçanërisht lëvizjet monetare në llogaritë bankare, i shoqëruar me pajisjen me fatura tatimore fiktive, tregon qëllimin e vërtetë të të pandehurit, i cili është fshehja dhe mbulimi i natyrës së burimit të të ardhurave, nga veprimtaria e korrupsionit. Për këtë arsye, ai ka konsumuar në këtë mënyrë elementët e figurës së veprës penale të ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në formën e parashikuar nga neni 287/1 pika “b” e Kodit Penal”.

Po ashtu bëhet me dije se Prifti, në sajë të detyrës së tij, pasi ka përfituar një Grant në shumën 8,973 USD, nga një fondacion me qëllim financimin e një projekti që do të implementohej në Shërbimin ku ai drejtonte, rezulton se nuk ka investuar të gjithë shumën monetare të Grantit, por i ka përfituar për interesa personale.

Kështu, rezulton se ai ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.

Hetimet vijojnë për persona të tjerë dhe për fakte të tjera penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore