Shqipëria

Shtyhet seanca e GJKKO-s për Belerin, shkak shqyrtimi i kërkesave parapake


Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shtyrë për në datën 17 tetor seancën për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të Fredi Belerit, i cili akuzohet se është përfshirë në korrupsion në zgjedhjet e 14 majit.

Shkak për këtë është bërë tërheqja e institucionit të drejtësisë për shqyrtimin e kërkesave paraprake të palës mbrojtëse.

Gjykata e Durrësit shpalli më herët moskompetencë sa i takon shqyrtimit të kërkesës së Belerit për t’u lënë i lirë përkohësisht për të bërë betimin e tij si kryetar i Bashkisë Himarë.

Kështu, ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim. Do të jetë kjo e fundit që do të vendosë se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën e Belerit.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim ndërkohë që Beleri ka kërkuar gjashtë herë zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të lehtë, por është refuzuar nga gjykata.

Fredi Beleri mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve. Gjykatat kanë refuzuar disa kërkesa të tij për lirim ndërsa autoritetet greke kanë dënuar arrestimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i dha mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë sigurie, por GJKKO e ka hedhur poshtë.

GJKKO-së iu kërkua zëvendësimi i arrestit me burg me një masë tjetër në liri.

Kjo, për t’i mundësuar Fredi Belerit betimin si kryebashkiak i zgjedhur nga qytetarët e Himarës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore