Shqipëria

Shteti humbet 350 milionë euro nga projekti i Portit të Durrësit, thotë Alibeaj


Enkelejd Alibeaj, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka deklaruar në kryesinë e Kuvendit se qeveria e jep pasuritë e shqiptarëve pa garë.

Në veçanti ai është ndalur te projekti i Portit të Durrësit, për të cilin ka theksuar se mungesa e konkurrencës është praktikë e qeverisë së Edi Ramës.

Alibeaj ka treguar se pas kërkesës për transparencë për marrëveshjen e Portit të Durrësit, Kuvendi vuri në dispozicion dokumentacionin dhe ata nxorën shkelje kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tij, shkelja e parë është ajo e neneve 71 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Përcaktimi me ligj të posaçëm i të drejtave dhe privilegjeve që një sipërmarrje private përfiton për realizimin e një projekti publik, përbën një shkelje flagrante, sipas tij.

Sakaq, shkelja e dytë është ajo e nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës, ku rezulton se jo vetëm është cenuar liria e veprimtarisë ekonomike dhe konkurrenca, por edhe mbrojtja që duhet të gëzojë prona publike.

Alibeaj ka cekur edhe leverdinë ekonomike.

“Pyetje që me të drejtë mund të ngrejë çdo qytetar, është cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti. Për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se çfarë ofron shteti shqiptar dhe çfarë merr në këmbim”, ka thënë ai.

Ndërkohë, nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se “shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 milionë euro”.

“E keni dëgjuar kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore”, vijon ai.

Më tej vjen ndarja e aksioneve dhe shpërndarja e dividentit.

“Marrëveshja përcakton se shteti shqiptar do të ketë 33 për qind të kompanisë së re që do të krijohet, ndërsa sipërmarrësi privat 67 për qind. Ajo që mbetet e pasqaruar është se si është bërë kjo ndarje aksionesh”, veçon Alibeaj.

Çka mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet askund, sipas tij, është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano.

“Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 milionë euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard euro”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore