Aplikacione

Shtegu i përmbajtjeve pornografike në TikTok


Platforma e shpërndarjes së videove në internet, TikTok, po ndërmerr hapa në ndalimin e përdoruesve që postojnë video me përmbajtje pornografike dhe ato me përmbajtje të dhunshme në formë fotografie të profilit të tyre.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se përpos kësaj, platforma është duke ndaluar hashtag-et e përdorura për promovimin e profileve me përmbajtje ofenduese dhe është duke i fshirë videot e tyre.

Sipas përdoruesve të TikTok-ut ky konsiderohet si një trend viral që i shtyn disa prej tyre të postojnë materiale fyese, gati të neveritshme, në mënyrë që të arrijnë sa më shumë shikime.

Një djalosh nga Gjermania ka kontaktuar BBC duke e vënë në dijeni për këtë trend të TikTok-ut. Ai ka pranuar që edhe vetë është ndeshur me profile q përmbajnë video pornografike dhe kishte shprehur shqetësimin që shumë fëmijë të tjerë që përdorin aplikacionin mund të përballen me to.

“Më duket veçanërisht shqetësuese që ka postime me miliona shikime që tregojnë në mënyrë specifike këto profile duhet të ketë një klasifikim moshe që TikTok-u të veprojë”.

Madje ai vetë kishte raportuar shumë përdorues në aplikacion për postimin e videove fyese në profil.

Shfaqja e këtyre përmbajtjeve mundësohet falë veçorisë së aplikacionit për të vendosur në foton e profilit edhe video, pra jo vetëm fotografi të palëvizshme.

Mirëpo, ky trend i videove në profil po keqpërdoret nga disa përdorues për të shfaqur skena pornografia dhe të dhunshme në profilet e tyre.

Prej një rishikimi nga BBC, llogaritë shpesh emërtohen me një grumbull të rastësishëm fjalësh dhe nuk disponojnë asnjë video aktuale përveç asaj të ngarkuar në profil.

Më shqetësues është fakti se disa prej tyre janë me mijëra e dhjetëra ndjekës, të cilët janë në pritje të ndryshimit të videos së profilit me diçka akoma dhe më “tronditëse”.

Madje disa prej këtyre llogarive po rekomandohen nga algoritmi i TikTok-ut në faqen kryesore të aplikacionit.

“TikTok-u ka një reputacion mjaft pozitiv kur bëhet fjalë për besimin dhe sigurinë, kështu që nuk do t’i fajësoja ata që nuk kishin politika dhe mjete të moderimit për një fenomen toksik për të cilin nuk ishin të vetëdijshëm”, ka thënë Roi Carthy, nga kompania L1ght e moderimit të mediave sociale.

Për të është e qartë që TikTok-u po punon për të ndaluar këtë trend, mirëpo për përdoruesit vigjilenca është thelbësore.

“Tifozët e TikTok-ut duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet në platformë dhe prindërit duhet të bëjnë një përpjekje për të mësuar se cilat aplikacione të reja po përdorin fëmijët e tyre, së bashku me përmbajtjen dhe dinamikën njerëzore ndaj të cilave ata janë të ekspozuar”, ka shtuar Carthy.

Nga ana tjetër një nga zëdhënësit e kompanisë ka thënë se “kemi ndaluar përgjithmonë llogaritë që u përpoqën të anashkalonin rregullat tona përmes fotografisë së profilit të tyre dhe kemi çaktivizuar hashtag-et”.

Zëdhënësi ka shtuar gjithashtu se ekipi i sigurisë po vazhdon të analizojë ato profile dhe se po vazhdohet të ndërmerren hapat e nevojshëm për të mbajtur të sigurt komunitetin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore