Sport

Shtatë vjet ‘Autochthonous’, krenaria shqiptare në Beograd


Data 14 tetor përkujton një nga ngjarjet më të rënda dhe më të veçanta për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Pikërisht më 14 tetor 2014, në stadiumin e Partizan-it të Beogradit, Shqipëria luante përballë Serbisë për kualifikueset e Euro 2016.

Mes fishkëllimave dhe thirrjeve të shumta antishqiptare, që shoqëronin gjatë gjithë kohës lojtarët shqiptarë, nga dalja e tyre në fushë, tek ekzekutimi i himinit kombëtar e deri te çdo prekje e topit, surpriza e madhe do të vinte nga shqiptarët jashtë stadiumit.

Ishte minuta e 42-të e pjesës së parë, kur në qiellin e Beogradit sipër stadiumit do të fluturonte një dron, që mbante të varur një banderolë.

Në të paraqitej harta e Shqipërisë Etnike, dy figura të shqura të kombit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe mbishkrimi ‘Autochthonus’.

E gjitha kjo për të treguar mbi të gjitha se thirrjet ‘Kosova është Serbi’, nuk janë gjë tjetër veçse brohoritje tifozësh, përballë një të vërtete të madhe dhe të hidhur për ata njerëz.

Ismail Morina, i njohur me nofkën “Ballisti” ishte personi që kishte përgatitur surprizën për serbët në stadium.

I fshehur pranë një kishe afër stadiumit, sipas rrëfimeve të tij të mëvonshme, ai kishte mundur të ngrinte dronin dhe ta ulte në brendesi të fushës.

Më pas gjithçka do të agravonte në dhunë. Policia dhe sigurimi i stadiumit nuk arritën të mbanin një pjesë të tifozëve që mësynë fushën dhe sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Sigurimi doli nga funksioni, u doli në krah, duke sulmuar lojtarët kuqezi.

Edhe pse kanë kaluar shtatë vite, janë ende të freskëta disa momente nga ajo ndeshje. Të tilla si grushti i Lorik Canës ndaj një tifozi serb që shkon të sulmojë Bekim Balajn.

Bekim Balaj dhe Andi Lila, që shkojnë të marrin banderolën nga duart e lojtarëve serbë, apo dhe Taulant Xhaka i vetëm përballë pothuajse gjysmës së ekipit të Serbisë.

Me situatën e ndodhur, gjyqtari anglez, Martin Atkinson, ndali ndeshjen dhe ajo ndërpritet përfundimisht. Ishte ndërprerë edhe më herët, por me sekuenca të shkurtra. Ndërsa, pas dhunës së ndodhur, ndeshja nuk vijoi më.

Sikur të mos mjaftonte dhuna në fushë, policia serbe ushtroi presion edhe në dhomat e zhveshjes mbi lojtarët dhe stafin kuqezi.

Megjithatë, atë natë ata u larguan nga Serbia dhe rreth orës 03:00 të mëngjesit mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Heronjve” të Beogradit, siç u quajtën nga shumëkush, iu bë një pritje madhështore në Tiranë. Ata u panë si mbrojtja e dinjitetit shqiptar përballë një turme huliganësh antishqiptarë. Ata ishin krenaria më e madhe e shqiptarëve në atë kohë.

Për ngjarjen e ndodhur në Beograd do të kishte reagime të shumta të opinionit sportiv, që dënonin dhunën.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ku Shqipëria kishte depozituar ankesat për ndeshjen, vendosi për fitoren 3-0 në tavolinë për kuqezinjë.

Në ndeshjen e kthimit do të ndodhte ajo që nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të cilësohej si “leksion qytetarie”.

Në “Elbasan Arena” u lejuan të futeshin në stadium tifozë të Serbisë, ndryshe nga çfarë ndodhi në Beograd.

Edhe pse Serbia arriti të fitonte me rezultatin 2-0, me dy gola në fundin e ndeshjes dhe me provokimet me tre gishta të lojtarëve serbë, përsëri shqiptarët ishin të përmbajtur dhe treguan se futbolli mbetet sport që dashurohet dhe politika qëndron larg tij.

Fati më i madh i Shqipërisë do të ishte në ndeshjen me Armeninë në Jerevan. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 3-0 dhe zyrtarisht ishin pjesë e Euro 2016 në Francë. Ndërkohë, Serbia mbeti jashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore