Sport

Shtatë lojtarë mbeten jashtë nga projekti i Thiago Motta-s te Juventus-i


“La Gazzetta dello Sport” përmend shtatë lojtarë, përfshirë Weston McKennie dhe Daniele Rugani, të cilët nuk janë pjesë e planeve të Thiago Motta-s te Juventus-i.

Projekti i ri i Juventus-it tashmë ka filluar me marrëveshjet për Michele di Gregorio dhe Douglas Luiz, të cilët së shpejti do të shpallen si dy nënshkrimet e para të bardhezinjve të afatit kalimtar të verës 2024.

Një lojtar jashtë planeve të Motta-s, Moise Kean, praktikisht është larguar nga klubi tashmë, pasi ai është në prag të bashkimit me Fiorentina-n me një transferim të përhershëm prej 13 milionë euro plus shtesa.

“Gazzetta”, megjithatë, emëron gjashtë futbollistë të tjerë që mund të mos jenë as pjesë e parasezonit të Juventus-it, pasi Motta mendon se ata nuk janë të përshtatshëm për projektin e tij.

Sipas “Gazzetta”-s, ata janë Arkadiusz Milik, Weston McKennie, Mattia de Sciglio, Filip Kostic, Daniele Rugani dhe Arthur.

Nga këta gjashtë emra, më befasuesi është ndoshta Rugani, i cili së fundmi ka vazhduar kontratën në Torino, duke pranuar një pagë më të ulët.

Nga ana tjetër, Arthur është rikthyer pas huazimit një vjeçar te Fiorentina dhe është një nga fituesit më të lartë në “Allianz Stadium” me një kontratë 7 milionë euro në vit. Një arsye më shumë pse Juventus-i do të dëshirojë të gjejë një klub të ri për mesfushorin brazilian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore