Lajme

Shqiptarët me orientimin më të qartë euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor, zbulon sondazhi i IRI-së


Ilustrim

Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i cili u publikua të martën gjatë ditës, zbulon se përkrahja e popullit të Kosovës ndaj orientimit euro-atlantik të vendit vazhdon të jetë në nivelet më të larta në krahasim me pjesën tjetër të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një shumicë dërrmuese prej 87 për qind në Kosovë u shpreh se politika e jashtme e vendit duhet të orientohet vetëm nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasuar nga mbi 80 për qind në Shqipëri dhe rreth 40 për qind në Bosnje dhe Hercegovinë.

E niveli më i ulët i përkrahjes për integrimet euro-atlantike mbetet në Serbi, ku vetëm 10 për qind e qytetarëve serbë janë shprehur në favor të orientimit pro-perëndimor të vendit. Rreth 30 për qind e qytetarëve serbë konsiderojnë se Serbia duhet të ndjek një politikë të jashtme të dyfishtë.

Në sondazhin e IRI-së del se rreth 90 për qind e kosovarëve mbështesin anëtarësimin në NATO krahasuar me vetëm 3 për qind të qytetarëve serbë. Në pyetjen nëse do të organizohet një referendum për anëtarësimin e vendit në BE, rreth 90 për qind e kosovarëve deklaruan votën pro.

Një rezultat i ngjashëm është edhe në Shqipëri – një shumicë prej 92 për qind u shprehën pro anëtarësimit të vendit në BE, pasuar nga rreth 80 për qind e qytetarëve në Mal të Zi dhe rreth 70 për qind në Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia qëndron e fundit nën 50 për qind.

E sondazhi zbulon se në tre vende të Ballkanit Perëndimor, shteti serb vlerësohet të jetë kërcënimi kryesor: një shumicë dërrmuese prej 83 për qind në Kosovë u shpreh se vendi rrezikohet nga Serbia, pasuar nga rreth 36 për qind në Shqipëri dhe rreth 27 për qind në Bosnje-Hercegovinë.

Në Serbi, rreth 35 për qind e qytetarëve serbë konsiderojnë se SHBA-të janë kërcënimi kryesor për vendin, ndërsa në Mal të Zi, qytetarët malazezë janë të ndarë se kush paraqet kërcënimin më të madh: rreth 19 për qind e shohin SHBA-në kërcënimin kryesor, pasuar nga rreth 17 për qind për Rusinë.

Bullgaria, për 23 për qind të maqedonasve, paraqet kërcënimin më të madh për vendin, pasuar nga Rusia (12 për qind) dhe Kosova (10 për qind). Gjithashtu, sondazhi jep edhe disa rezultate mbi marrëdhëniet shtetërore. Në Kosovë, mbështetja për SHBA-të është e jashtëzakonshme – rreth 80 për qind e kosovarëve e konsiderojnë aleatin më të rëndësishëm të vendit.

Një rezultat i ngjashëm është edhe në Shqipëri – rreth 58 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë SHBA-në aleatin më të rëndësishëm, pasuar nga Italia (10 për qind) dhe Turqia (8 për qind) në vendin e dytë dhe tretë, ndërsa një e treta e qytetarëve malazezë (32 përqind) e konsiderojnë Serbinë aleatin kryesor, pasuar nga SHBA-të (20 për qind) dhe Rusia (9 për qind).

Në krahasim me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor pro-perëndimor, një përshtypje krejt tjetër e japin shumica e qytetarëve serbë, të cilët e shohin Rusinë aleatin kryesor të Serbisë, përkatësisht rreth 46 për qind prej tyre, pasuar nga Kina (14 për qind) dhe Hungaria (5 për qind).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore