Shqipëria

Shqipëria nënshkruan deklaratën për mospërdorimin e municioneve shpërthyese në qytete


Një total prej 80 shtetesh, mes tyre Shqipëria, iu bashkuan Deklaratës për Mbrojtjen e Civilëve nga përdorimi i armëve shpërthyese në zonat e populluara të premten.

Kjo, duke përfshirë tre anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Irlandës, e cila ishte ndërmjetëse në përfundimin e dokumentit.

Ndër të tjera, deklarata i detyron nënshkruesit të sigurojnë që forcat e tyre të armatosura të kufizojnë ose të përmbahen nga “përdorimi i armëve shpërthyese në zonat e banuara kur mund të pritet që përdorimi i tyre mund të shkaktojë dëm për popullatën ose objektet civile”.

Deklarata u iniciua nga ish-ambasadori i Irlandës në OKB në Gjenevë, Michael Gaffey dhe zëvendës ambasadori aktual Jamie Walsh.

Koordinimi i tij zgjati tre vjet me pjesëmarrjen e OKB-së, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe përfaqësuesve të organizatave joqeveritare.

Edhe pse fillimisht u konceptua në sfondin e luftës civile në Siri dhe konflikteve të tjera në Lindjen e Mesme – në Rripin e Gazës, Jemen dhe vende të tjera, ajo fitoi rëndësi edhe më të madhe në lidhje me luftën në Ukrainë.

Sipas organizatës joqeveritare britanike “Action on Armed Violence”, 91 për qind e të vrarëve dhe plagosurve nga mjetet shpërthyese në qytete gjatë dekadës së fundit kanë qenë civilë.

Për më tepër, ky tregues u rrit në 98 për qind, nëse marrim parasysh granatimet e infrastrukturës civile ukrainase nga Rusia.

Dokumenti u miratua përfundimisht më 17 qershor 2022 në mbledhjen e OKB-së në Gjenevë.

Ndër nënshkruesit e saj janë tre anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (SHBA, Franca dhe Britania), 23 nga 30 anëtarët e NATO-s, si dhe Brazili, Japonia dhe Palestina.

Në të njëjtën kohë, Rusia, Siria, Izraeli dhe Arabia Saudite, si dhe Ukraina, nuk e nënshkruan deklaratën.

Disa nga 80 shtetet që e miratuan deklaratën janë: Shqipëria; Andorra; Austri; Belgjikë; Bullgari; Kroaci; Qipro; Republika Çeke; Danimarka; Finlanda; Francë; Gjermani; Greqi; Hungaria; Islanda; Itali; Mbretëria e Bashkuar; Shtetet e Bashkuara etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore