Kulturë

Shqipëria kishte “Diellin” e saj 50 vjet para prestigjiozes angleze “The Sun”


A e dinit se gazeta “Dielli” botoi kopjen e saj të parë më 15 shkurt 1909 në Boston, SHBA?

Kjo gazetë mbetet organi mediatik më i vjetër i shqiptarëve, faqet e së cilës ende vijojnë të informojë komunitetin shqiptaro-amerikan si një pasqyrë e furtunave historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, por edhe një forum për opinione e për debatin e hapur publik.

 

“Dielli” shqiptar u themelua nga Fan Noli dhe Faik Konica. Kjo gazetë është 110 vjeç, ndërsa prestigjiozja angleze “The Sun” është 57 vjeç, pasi për herë të parë u botua në vitin 1964.

Edhe pse ishte gazetë e një shoqate krahinore, programi i “Diellit” i kalonte kufijtë e një shoqate dhe merrte përmasa kombëtare.

Botimi i Programit të “Diellit”, në numrin e parë të tij, nuk ishte thjesht një program publicistik i një përjavshmeje mërgimtare, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare.

Në numrin e vet të parë më 15 shkurt 1909, “Dielli” e shpallte publikisht: Kryefjala jonë është “SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”.

Në programin e vet kërkonte njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë turke. “Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re çfarë besimi”, shkruante gazeta.

Vetë gazeta “Dielli”, tek e komentonte programin e vet në numrin e 50-vjetorit, e cilësonte si program që i priu “Pavarësisë së Shqipërisë”, pavarësisht se në faqen e parë “Dielli” kërkonte Autonomi.

Në bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror gjenden kopje të gazetës “Dielli” të viteve 1922 dhe 1926, gjithashtu në fototekën e arkivit ka fotografi interesante të makinerive të shtypjes së gazetës “Dielli” dhe stafit të saj në vitet 1912 deri më 1918.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore