Shqipëria

Shqipëria i kthehet ekstradimeve me Rusinë, arreston “bosin e krimit” Igor Kokunov


Autoritetet shqiptare do të përfundonin të hënën e 28 gushtit në gjurmët e “bosit të krimit” Igor Kokunov, duke e ndaluar të kërkuarin nga Federata Ruse në pikën kufitare të Muriqanit.

Policia e Shtetit do të bënte me dije në njoftimin zyrtar se 59-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimin e tij pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska.

“Gjatë verifikimeve të imtësishme dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 59-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska pasi autoritetet ruse i kanë caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, mbi akuza se ky shtetas i ka dhënë ndihmë dhe ka bashkëpunuar me një autor veprash penale të rënda, në Rusi. Maksimumi i dënimit 15 vjet burg”, vërenin autoritetet shqiptare.

Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu si Vasya Bandit, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse.

Igor Kokunov
Igor Kokunov

Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.

Vasya Bandit u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Elbasanit do të vendoste kundër ekstradimit të Svetlana Timofeeva-s, shtetases ruse, e cila akuzohet nga autoritetet shqiptare për spiunazh, së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina.

Nga ana tjetër, Moska zyrtare e akuzonte Timofeeva-n për “marrje të paligjshme të informacionit sekret shtetëror” dhe mbi këtë, kishte kërkuar ekstradimin e saj.

Ekstradimet

Më herët, autoritetet shqiptare kanë ekstraduar një shtetas rus më 21 shkurt të vitit 2020.

Bëhej fjalë për anëtarin e organizatës terroriste ISIS, Rasul Miklaev.

Ai u mbajt për disa muaj me radhë në qendrën e Kareçit, ku u zbulua dhe përfshirja e tij në luftimet në Siri.

Miklaev po e përdorte Shqipërinë si tranzit për të shkuar drejt Evropës Perëndimore.

Së dyti, ai po i fshihej drejtësisë së Federatës Ruse.

“Shqipëria ka pranuar më parë kërkesë ekstradimi nga Rusia, por nuk kam informacion nëse kanë refuzuar më parë”, shtoi juristja shqiptare.

Rasul Miklaev
GRU

Biznesmeni rus Vladislav Klyushin do të ekstradohej në fund të vitit të kaluar drejt Shteteve të Bashkuara.

Sipas kërkesës së palës amerikane për ekstradim, Klyushin akuzohej vetëm për tregti të brendshme.

Por 41-vjeçari rus kishte lidhje të drejtpërdrejta edhe me një njësi speciale të shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU.

Prandaj, avokatët e tij përdorën të gjitha mjetet për t’i rezistuar ekstradimit drejt SHBA-ve.

Ata pretenduan se klienti i tyre po ndiqet penalisht nga SHBA-të për arsye politike.

Në shtator të vitit 2016, më pak se njëqind kilometra larg burgut të Sion-it, në Hotel Palace, një njësi kibernetike e GRU-së kreu një operacion mësymjeje.

Asokohe, dy spiunë rusë, Yevgeny Serebryakov dhe Alexei Morenets, arritën të hyjnë në rrjetin WLAN të hotelit në Laussane ku Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) mbante një konferencë.

Vladislav Klyushin

Rusia ishte dënuar më parë për doping të kontrolluar nga shteti dhe ishte markuar publikisht nga WADA – njësia ruse e spiunazhit kibernetik 26165 me sa duket kishte për detyrë të hakmerrej ndaj agjencisë.

Shembulli i dy agjentëve kibernetikë rusë Morenets dhe Serebryakov tregon se si trajtohen spiunët.

Pas detyrës së tyre në Laussane, ata udhëtuan përsëri në Zvicër në prill të vitit 2018.

Këtë herë laboratori Spiez ishte objektivi i tyre – i cili, pas helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në Angli, supozohej se po siguronte prova të neuro-agjentit ‘Novichok’.

Këtë herë, megjithatë, Morenets dhe Serebryakov u kapën përpara se të vendoseshin në misionin e tyre.

Së bashku me dy bashkëpunëtorë, ata u kapën në Hagë, edhe falë informacioneve të shërbimit inteligjent zviceran.

Disa ditë pas arrestimit të tyre spektakolar, dy spiunët u deportuan në Rusi nga autoritetet holandeze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore