Shqipëria

Shqipëria dhe rajoni votuan pro rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë


Shqipëria është rreshtuar në linjë të plotë me bashkësinë evropiane, sa i takon rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë, duke e votuar pro miratimin e saj gjatë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e miratoi të enjten e 23 majit rezolutën, që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë miratohet nga Asambleja e OKB-së

Shqipëria, ashtu si e ka treguar edhe herë të tjera, ka shfaqur linjëzimin e plotë pro-perëndimor në këtë çështje.

Po ashtu, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe vendet e tjera të rajonit (përveç Serbisë), të cilat në bllok (Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi), kanë votuar pro rezolutës.

Problem kanë mbetur vende brenda bashkësisë evropiane, të cilat janë rreshtuar në “neutralitet” duke abstenuar rezolutën, por që në të vërtetë reflekton një qëndrim kundër vetë Bashkimit Evropian si formacion.

Të tilla kanë qenë qëndrimet e Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros, të katërta abstenuese të rezolutës.

Ndërsa, siç ishte deklaruar më parë, Hungaria ka pasur një qëndrim edhe më të rrezikshëm, duke votuar kundër rezolutës dhe duke u rreshtuar njësh me Rusinë dhe Kinën në këtë kauzë.

Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët më 11 korrik 1995, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Në Srebrenicë, forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiç vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore