Kosova

Shpëtojnë 40 minatorët nga bllokimi në “Trepçë” – Asllani për AP: Të gjithë janë mirë


Foto: Ilustrim.

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Mustafë Asllani, ka njoftuar se janë nxjerrë të gjithë 30 minatorët që kishin mbetur të ngujuar brenda minierës që nga orët e hershme të së hënës.

Asllani, në një prononcim për Albanian Post, ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e minatorëve të cilët ishin bllokuar brenda minierës që nga ora 3 e mëngjesit, është e mirë.

“Të gjithë minatorët kanë dalë, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë”, ka thënë shkurtimisht Asllani për Albanian Post.

Fillimisht nga miniera ishin nxjerrë 10 minatorë, ndërsa 20 të tjerë ishin evakuar njëri pas tjetrit.

________________________________________________________________________

Bllokimi i minatorëve në “Trepçë”: 10 i kemi nxjerrë, mbesin të bllokuar akoma edhe 20 të tjerë

10 nga 30 minatorë të minierës së “Trepçës”, që kishin mbetur të ngujuar që nga ora 3:00 e mëngjesit të së hënës kanë arritur të dalin.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar kryetari i sindikatës së Trepçës, Mustafë Asllani.

“Po procesi ka nisur, jemi duke i nxjerrur minatorët që kanë mbetur brenda në ashensor të “Trepçës”. Procesi është duke shkuar pak ngadale, mirëpo pothuajse gjysa deri tani kanë dalur”.

“Aktualisht mund të them që edhe 20 kanë mbetur”, ka thënë Asllani për AP.

Ai shtoi se me minatorët e ngujuar janë vënë kontaktet në mënyrë të vazhdueshme dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Në vendin e ngjarjes janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e Trepçës, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.

Foto: Reuters.

Minatorët kanë mbetur të bllokuar për shkak të një defekti të energjisë, numri i tyre ka qenë rreth 40 mirëpo disa prej tyre kishin arritur që të dalin.

Më 3 prill edhe një punëtor i minierës “Trepça” ka vdekur në vendin e tij të punës.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Sot, rreth 07:00, Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës brenda kompleksit industrial “Trepça” është gjetur pa shenja jete viktima mashkull 58 vjeçar”.

Duke thënë se hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet e 90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si njëra nga ndërmarrjet më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë me rreth 20 mijë punëtorë.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore