Lajme

Shpallet qeveria e re në Liban mes thellimit të krizës


Në Liban është shpallur qeveria e re pas më shumë se një viti që kur administrata e mëparshme dha dorëheqjen pas shpërthimit shkatërrues të portit të Beirut-it.

Agjencia e lajmeve “BBC”, tregon se njeriu më i pasur i Libanit, Najib Mikati, tanimë është kryeministri i ri, një pozicion që e ka mbajtur edhe dy herë më parë.

Ky emërim i tij, së bashku me emërimin e një kabineti të ri, përmbyll muaj të tërë në paralizë politike.

Ndërkohë, vjen teksa vendi po përballet me disa nga krizat më të rënda të brendshme me të cilat është përballur ndonjëherë më parë në historinë e tij.

Ka rënë vlera e monedhës, papunësia dhe inflacioni janë rritur, energjia elektrike, karburanti dhe ilaçet mungojnë.

Gjithashtu vendi është tronditur nga afro dy vjet protesta që bëjnë thirrje për reforma politike.

Që kur kryeministri i mëparshëm, Hassan Diab, dha dorëheqjen disa ditë pasi një shpërthim masiv më 4 gusht 2020 shkatërroi portin e Beirut-it dhe zonën përreth, Libani ka qenë pa një qeveri funksionale.

Lidhur me shpërthimin, i cili u shkaktua nga nitrati i amonit i ruajtur në mënyrë jo të duhur, la të vrarë 203 njerëz, plagosi të paktën gjashtë mijë të tjerë dhe miliarda dollarë dëme.

Kjo fatkeqësi shkaktoi një valë zemërimi kundër qeverisë dhe sistemit politik të Libanit. Protestuesit fajësuan korrupsionin për shpërthimin, paaftësinë dhe sistemin e patronazhit ku vendet e punës jepen në këmbim të mbështetjes politike.

Sipas “BBC”, shpërthimi veçse shtoi zemërimin në rritje që ishte krijuar prej fillimit të krizës financiare në fund të vitit 2019.

Vetëm në muajt e fundit, monedha libaneze ka humbur 90 për qind të vlerës së saj, ndërsa tre të katërtat e popullsisë tani jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Nga ana tjetër, ka të ngjarë që ardhja e një kabineti të ri, i cili pritet të përbëjë teknokratë të miratuar nga partitë rivale, të hapë rrugën për bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi një paketë shpëtimi.

Pas dorëheqjes së Hassan Diab, sistemi delikat i ndarjes sektare të pushtetit kishte penguar përpjekjet e përsëritura për të formuar një qeveri.

Prej fundit të luftës civile 1975-1989, fuqia politike është ekuilibruar në mënyrë delikate midis shumë sekteve të saj, me presidentin e krishterë, kryeministrin mysliman suni dhe kryetarin mysliman shiit.

Kështu, pamundësia për të arritur një marrëveshje për emërimin e ministrave, në dëshirë të fraksioneve dhe blloqeve të ndryshme, e pengoi procesin e krijimit të kabinetit të ri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore