Lajme

Shoqata e Gastronomëve: Çfarë vlere kanë masat përderisa po thyhen prej atyre që i vendosën?


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës konsideron se masat kufizuese anti-COVID për gastronomi janë të papranueshme përderisa këto të njëjtat nuk po respektohen e po thyhen nga njerëzit të cilët vetë i vendosën në radhë të parë.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, vlerëson se subjektet politike “po i adaptojnë masat kufizuese për nevojat e veta, e rrjedhimisht këto masa janë të papranueshme”.

“Nuk është lejuar tubimi i më shumë se pesë personave në një tavolinë, në ambiente të mbyllura e as në ambiente të hapura. Por, me afrimin e fushatave zgjedhore, papritmas 30 persona janë të lejueshëm në ambiente të mbyllura dhe 50 persona në ambiente të hapura”, tha Kllokoqi në një intervistë me shkrim për Albanian Post.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës do të protestojë në mënyrë të vazhdueshme e të pandërprerë në rast se pas 14 shkurtit vendoset që masat të ashpërsohen.

“Nëse rriten numrat, do të jetë si rezultat i fushatave zgjedhore pasi që gastronomia është njëjtë siç ka qenë. Prandaj, ne nuk do të pajtohemi me asnjë lloj mase që do të vendoset, me përjashtim të masave që janë momentalisht”, tha  Kllokoqi.

Ndërsa, Arian Vranica, zyrtar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka shpjeguar më hollësisht mbi dëmet në biznese të shkaktuara nga pandemia. Ai ka cilësuar gjendjen e sektorit të gastronomisë mjaft shqetësuese, duke thënë se “89%  e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë dhe rreth 11 mijë persona e kanë humbur vendin e punës”.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka publikuar një foto duke bërë krahasimin e lokaleve të gastronomëve dhe tubimeve në fushatat zgjedhore.

“Ironia e gjithë kësaj situate të shkaktuar, shpaloset tash kur vjen në shprehje interesi i klasës tonë politike”, ka shkruar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Reagimi i tillë është si rezultat i turmave të njerëzve të grumbulluara në vende të ndryshme që janë parë ditëve të fundit.

Përveç shesheve, shumë më shumë se nga 30 njerëz u panë të mbledhur edhe në hapësira të mbyllura, salla dasmash, oda e hapësira të ndryshme shtëpish.

Pa respektuar asnjë nga masat në parandalim të COVID-19 të përcaktuara nga OBSH e të përcjellura nga IKSHPK. Pa maska e pa distancë sociale!

Fotografi të shkëputura nga fushatat zgjedhore të subjekteve të ndryshme politike:

Krejtësisht i pavëmendshëm në mosrespektim të masave anti-COVID u pa të jetë edhe kandidati për kryeministër nga NISMA, Fatmir Limaj, i cili u fotografua duke përshëndetur dorë më dorë, një varg njerëzish.

Njëjtë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore