Sport

Shkëmbimi Griezmann – Saul, gjithnjë e më pranë


Barcelona dhe Atletico Madrid-i po përpiqen të shkëmbejnë lojtarë mes tyre. Antonie Griezmann-i pritet të rikthehet tek Atletico, ndërsa mesfushori Saul Niguez do të shkojë në Barcelonë.

Të dy klubet dhe lojtarët në rrethanat aktuale do të ishin të kënaqur nëse ky shkëmbim ndodhte. Barcelona ka probleme me kufirin e pagave të përcaktuara nga La Liga, çka i kushtëzon edhe kontratën e re të Messi-t, ku peshë ka edhe Griezmann-i.

Francezi peshon në arkat e klubit rreth 48 milionë euro dhe nëse ai largohej, do të ishte lehtësi e madhe, për sa i përket çështjes së kufirit të pagave.

Kjo do të ndikohej edhe nga largimi i Miralem Pjaniç-it, i cili gjithashtu ka një peshë të konsiderueshme në arkat e klubit.

Largimi i francezit dhe boshnjakut liron Barçën, por njëkohësisht transferimi i Niguez-it do të mbushte boshllëkun që lë largimi i ish-mesfushorit të Juventus-it.

Barcelona sigurisht që e vlerëson Griezmann-in, por pas nënshkrimeve të Sergio Aguero-s dhe  Memhpis Depay-t, si dhe problemeve ekonomike, janë të “detyruar” të heqin dorë prej tij.

Në krahun tjetër, vetë Saul-i i ka dhënë përparësi Barcelona-s përpara klubeve të Premier Ligës.

26-vjeçari ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Atletico-s, por sezonin e fundit ishte disi në hije.

Griezmann-i në dy sezone te Barcelona ka luajtur 99 ndeshje, ku ka arritur 35 gola dhe 17 asiste. Ndërsa, tek Atletico luajti për pesë sezone, ku u paraqit në 257 ndeshje, duke arritur 133 gola dhe 50 asiste.

Saul-i është produkt i akademisë së Atletico-s dhe me ekipin e parë është në sezonin e nëntë. Ai ka luajtur në 337 ndeshje, ku ka shënuar 43 gola dhe 20 asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore