Lajme

Shërbimet sekrete në Bavari po monitorojnë punën e AfD-së


Zyra Provinciale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues mund të monitorojë aktivitetet e partisë së djathtë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe të informojë publikun për vëzhgimet e saj, vendosi Gjykata e Lartë Administrative e Bavarisë në Mynih.

“Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues me arsye supozon se brenda AfD-së ka aspirata që janë kundër Kushtetutës”, thuhet në shpjegimin e vendimit të gjykatës, transmeton “Deutsche Welle”.

Zyra vendosi në qershor 2022 që të fillojë monitorimin e AfD-së në tërësi për të vlerësuar nëse ka tendenca jokushtetuese.

Për këtë, zyra përdor materiale në dispozicion të publikut, si dhe informacione të marra nga burime të shërbimit sekret, ku përfshihet puna e informatorëve brenda vetë partisë.

Kundër këtij vendimi AfD-ja ka ngritur padi, e cila është rrëzuar me vendim të së premtes.

Në sqarim thuhet se përmes aktiviteteve të degës së ekstremit të djathtë tashmë të shpërbërë të AfD-së, si dhe përmes aktiviteteve të të rinjve të AfD-së, ka pasur arsyetim për monitorimin e partisë.

Këto pjesë të partisë shquhen veçanërisht për përfaqësimin e një botëkuptimi nacionalist dhe përhapjen e urrejtjes dhe intolerancës ndaj muslimanëve.

Vendimi i Gjykatës së Lartë Administrative i referohet vetëm kërkesës urgjente të AfD-së për ndalim monitorimi, ndërkohë që pritet ende vendimi përfundimtar.

Në shumë shtete të tjera federale, AfD-ja ose pjesë të kësaj partie janë nën mbikëqyrjen e Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues, pra të shërbimeve sekrete të brendshme.

Sipas sondazheve aktuale të opinionit publik, AfD është partia e dytë më e fortë në Gjermani në nivel federal, me 22 për qind të mbështetjes së votuesve, ndërsa në shumicën e shteteve federale të Gjermanisë Lindore është edhe partia më e fortë politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore