Sport

Shefki Kuqi është kandidat për të udhëhequr klubin anglez


Trajneri kosovar, Shefki Kuqi, është një ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e klubit të kategorisë së tretë të futbollit anglez, Ipswich Town.

Klubi i Ipswich-it, ka shkarkuar nga detyra trajnerin Paul Cook, derisa John McGreal është menaxher i përkohshëm në këtë ekip.

Që nga dita e shkarkimit, shumë emra kanë qarkulluar për të marrë drejtimin e skuadrës angleze, ndërsa së fundmi e ka hedhur kandidaturën edhe trajneri nga Vushtrria, Shefki Kuqi.

“Unë aplikova për trajner të klubit të Ipswich. Ata tashmë e dinë se ku jam, nëse dëshirojnë të më pranojnë”, tha Kuqi për BBC Radio Suffolk.

“Kam vëzhguar nga afër situatën, gjithashtu kam qenë pjesëmarrës në shumë ndeshje dhe besoj që e di se çfarë duhet ndryshuar”, thotë Kuqi.

Kuqi në karrierën e tij si futbollist, kishte luajtur për tre sezone me skuadrën e Ipswich-it dhe ai theksoi se periudha më e mira e tij, ka qenë pikërisht aty.

“Gjithmonë e kam potencuar se karriera ime më e mira si futbollist, ka qenë në Ipswich. Që kur jam bërë trajner, e kam ndjekur nga afër dhe besoj se e di saktësisht se çfarë po ndodh atje”, përfundoi ish-sulmuesi nga Kosova.

Kujtojmë që për skuadrën e Ipswich-it aktivizohet sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Bersant Celina.

Pra, në rast se Kuqi bashkohet me skuadrën angleze, atëherë Celina do të vihej nën urdhrat e tij.

Ndërkohë, Shefki Kuqi në karrierën e tij si trajner, deri më tani ka drejtuar skuadrat finlandeze: FC Honka, PK-35 Vantaa dhe FC Inter Turku.

Ndërsa karrierën e tij si futbollist, Kuqi e zhvilloi në futbollin finlandez dhe anglez, ku u aktivizua në ekipet: Helsinki, Sheffield Wednesday, Blackburn Rovers, Crystal Palace, etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore