Lajme

SHBA vendos sanksione të reja kundër Iranit


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja kundër Iranit pas sulmit ndaj Izraelit.

Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan.

“Pas sulmit të paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit, Presidenti Biden u koordinua me aleatët dhe partnerët e G7 për të vendosur sanksione të reja”, thuhej në shënimin e Sullivan.

Masat do të prekin veçanërisht “programin e raketave dhe dronëve, entitetet që mbështesin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministrinë iraniane të Mbrojtjes”.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu “do të vazhdojnë të punojnë në të gjithë Departamentin e Mbrojtjes dhe Komandën Qendrore për të forcuar dhe zgjeruar më tej mbrojtjen ajrore dhe raketore në të gjithë Lindjen e Mesme” dhe nuk do të “ngurrojnë të ndërmarrin veprime, në koordinim me aleatët dhe partnerët në të gjithë botën.

Kjo për të kërkuar llogari nga qeveria iraniane për veprimet e saj të dëmshme dhe destabilizuese.

Ndërkaq, Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-ve miratoi të hënën me shumicë dërrmuese një projekt-ligj të quajtur Akti i Sanksioneve të Energjisë Iran-Kinë, i cili do të zgjeronte sanksionet kundër Iranit duke kërkuar raporte vjetore që tregojnë nëse bankat kineze kanë marrë pjesë në transaksione që përfshijnë naftën iraniane.

Ligji do t’i ndalonte institucionet financiare amerikane të hapin llogari me subjektet kineze të përfshira në këto marrëveshje.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha më herët se administrata Biden do të përdorte sanksione “për të vazhduar pengimin e aktivitetit malinj dhe destabilizues të regjimit iranian”.

“Që nga sulmi i kësaj fundjave deri te sulmet Houthi në Detin e Kuq, veprimet e Iranit kërcënojnë stabilitetin e rajonit dhe mund të shkaktojnë pasoja ekonomike”, tha ajo në një konferencë shtypi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore