Lajme

SHBA-të zhvillojnë takim me përfaqësuesit e Afganistanit në Antalia


Afganistani, Katari dhe SHBA mbajnë takim trepalësh në Antalia të Turqisë

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë takuar me zyrtarët e qeverisë amerikane dhe të Katarit në një takim trepalësh në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.

I dërguari i SHBA-së, Tom West e ka quajtur takimin “një situatë të favorshme”, ai ka diskutuar “politikën e ardhshme të Uashingtonit për Afganistanin”, thuhet në deklaratë, përcjellë AA.

“Ne po përpiqemi të ngremë ekonominë e Afganistanit në këmbët e saj”, ka deklaruar West.

“Unë nisem sot për në Forumin e Diplomacisë në Antalia 11-13 Mars. Faleminderit Turqisë për pritjen dhe pres me padurim diskutimet me partnerë të rëndësishëm në lidhje me angazhimin ndërkombëtar me Afganistanin, thuhet në një postim në rrjetin social Twitter të West-it.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Afganistanit, Amir Khan Muttaqi në takimin trepalësh ka lexuar një deklaratë të Ministrisë së Jashtme afgane ku ka përsëritur thirrjen e talebanëve për “njohjen e qeverisë së re dhe lirimin e pronës si të drejtë legjitime të afganëve”, duke theksuar përpjekjet e qeverisë talebane për “promovimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë”.

Muttaqi tutje është shprehur se situata në Afganistan është “më e favorshme për angazhim pozitiv dhe diplomatik me komunitetin ndërkombëtar se kurrë më parë”.

“Këtë mëngjes, Ministri i Jashtëm në detyrë i IEA, Mawlawi Amir Khan Muttaqi, u takua në një takim trepalësh me Ministrin e Jashtëm të Katarit dhe zëvendëskryeministrin Sheikh Muhammad Bin Abdurrahman Al Thani dhe Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, z. Tom West”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Afganistanit.

Ndërsa përfaqësuesi i Katarit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani ka vlerësuar sikurse edhe dy palët e tjera në takim se  Forumi Diplomatik i Antalias është një “mundësi e mirë për të zhvilluar kontakte”.

Edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalias ka mbledhur së bashku politikanë, diplomatë, krijues të opinionit dhe akademikë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi çështjet globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore