Lajme

SHBA-ja i dhuron Policisë së Kosovës pajisje teknike në vlerë prej 300 mijë dollarë


Shërbimi Diplomatik i Sigurisë së Departamentit të Shtetit në SHBA.

Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka bërë të ditur se përmes Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit në SHBA, i ka dhuruar Policisë së Kosovës pajisje teknike me vlerë rreth 300 mijë dollarë.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit nga Ambasada Amerikane.

Këto mjete i janë dhuruar Divizionit Kundër Terrorizmit dhe Njësisë Speciale të Ndërhyrjes në Kosovë, për të forcuar gatishmërinë e tyre operacionale dhe për të mbajtur qytetarët të sigurt.

“Që nga viti 2008, Programi i Ndihmës kundër Terrorizmit, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës, ka ofruar gati 4 milionë dollarë në trajnime, mentorime dhe pajisje për Policinë e Kosovës”, ka shkruar Ambasada amerikane në Twitter.

Ndryshe më 13 maj, edhe Zvicra ka ndarë 86 milionë euro për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve të ekonomisë dhe zhvillimit të demokracisë dhe kapaciteteve ujore.

Këtë e kanë bërë të ditur ambasadori zviceran, Thomas Kolly dhe zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ruth Huber, gjatë prezantimit të programit për vitin 2022-2025 për Kosovën.

Programi do t’i mbështesë tri fusha kryesore, Qeverisjen Demokratike dhe Paqen, Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Ujin dhe Shëndetësinë.

“Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025 thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja”, thuhet në njoftimin për media të Ambasadës Zvicerane në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore