Lajme

SHBA i vë sanksione 11 personave, mes tyre Veselinoviç për krim të organizuar në Veriun e Kosovës


Zvonko Veselinoviç dhe Milan Rajko Radojçiç

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, kështu duke përfshirë edhe grupin organizuar kriminal të Zvonki Veselinoviç, i cili është një nga figurat më të korruptuara që vepron në Veriun e Kosovës.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“Veselinoviç dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit politikë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të tjerë të grupit, Milan Rajko Radojçiç, Zeljko Bojiç dhe Marko Rosiç, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, vazhdon njoftimi

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa e ka mirëpritur vendosjen e këtyre sanksioneve, ka thënë se institucionet janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka potencuar se do të bashkëpunojnë me SHBA-në që rajoni të mos bëhet parajsë e sigurt për grupet kriminale.

“I mirëpres sanksionet ndaj Veselinoviçit dhe grupit të tij të krimit të organizuar transnacional nga veriu i Kosovës”.

“Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet Bashkuara të Amerikës për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, ka shkruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore