Lajme

SHBA: Gazetarja e Al Jazeera-s ka të ngjarë të jetë qëlluar nga Izraeli, por jo me dashje


Shtetet e Bashkuara të hënën thanë  se gazetarja e “Al Jazeera”, Shireen Abu Akleh, ka të ngjarë të jetë vrarë me armë zjarri nga pozicionet izraelite, por se nuk kishte asnjë arsye për të besuar se vdekja e saj ishte e qëllimshme.

Departamenti i Shtetit gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të japin një përfundim mbi origjinën e plumbit që e vrau atë më 11 maj.

“Ekspertët balistikë përcaktuan se plumbi ishte dëmtuar rëndë, gjë që pengoi për një përfundim të qartë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, pas asaj që ai e quajti “analizë mjeko-ligjore jashtëzakonisht të detajuar” me ekzaminuesit e jashtëm.

Vdekja e Abu Akleh provokoi bujë, me Autoritetin Palestinez që pretendoi krim lufte, duke shkaktuar mohime të zemëruara nga Izraeli, një aleat i ngushtë i SHBA-ve, të cilin presidenti Joe Biden do ta vizitojë pas dy javësh.

Koordinatori i Sigurisë i SHBA (USSC), i cili drejton ndihmën e sigurisë për Autoritetin Palestinez në koordinim me Izraelin, tha se të dyja palët u dhanë akses të plotë në hetimet e tyre gjatë disa javëve të fundit.

Tensione të larta

Gazetarja e njohur e Al Jazeera-s, e cila kishte nënshtetësi amerikane, u vra teksa po mbulonte një operacion të ushtrisë izraelite në kampin Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Hetimi palestinez tha se një ushtar izraelit e qëlloi për vdekje.

Disa media kanë vënë në dukje gjithashtu Izraelin në vrasjen, me një raport të CNN që thotë se ajo duket se ishte shënjestruar nga forcat izraelite.

Një hetim i New York Times zbuloi se plumbi u qëllua nga afër vendndodhjes së një kolone ushtarake izraelite, me gjasë nga një ushtar i një njësie elitare dhe se nuk kishte palestinezë të armatosur në zonë.

Dhjetra ligjvënës amerikanë i kishin kërkuar Shteteve të Bashkuara të marrin drejtimin në kryerjen e hetimeve të veta, duke thënë se kishte nevojë për një gjetje të paanshme.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me familjen e Abu Akleh dhe ka kritikuar përdorimin e forcës nga policia izraelite në funeralin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore