Lajme

Sfida e re e mercenarëve amerikanë ndaj grupit Wagner në Republikën e Afrikës Qendrore


Negociatat midis Republikës së Afrikës Qendrore dhe amerikanëve për hyrjen e një kompanie private ushtarake amerikane në Bangui kanë përfunduar.

Sipas burimeve të “RFI”, gjithçka u përshpejtua pas vdekjes së Evgheny Prigozhin: mercenarët amerikanë ndodhen në Republikën e Afrikës Qendrore, të klasifikuar si punonjës të kompanisë ushtarake private amerikane Bancroft.

Këto ditë mercenarët janë në Bangui dhe po trajnojnë ushtrinë vendase.

Bancroft është një kompani që u themelua nga Michael Stock si një kompani ushtarake e pastrimit të minave në vitin 1999, dhe deri në vitin 2008 quhej Landmine Clearance International.

Më pas u specializua në sigurinë aktive, që përfshin edhe “stabilizimet”, fjalë nën ombrellën e së cilës gjenden shumë gjëra.

Detyra formale që ka në Afrikën Qendrore do të ishte shumë e ngjashme me atë që kryen zyrtarisht mercenarët e Wagner: Bancroft, sipas këtyre burimeve, “do të ndërtojë një njësi shumë të trajnuar që do të mbrojë infrastrukturën e minierave”, në zonat ku ndodhen bandat dhe organizatat paraushtarake.

Sakaq, fushat do të menaxhohen dhe zhvillohen nga “njerëz të afërt me qeverinë e Republikës së Afrikës Qendrore”.

Megjithatë, tabloja e Afrikës Qendrore sugjeron se loja gjeopolitike është më e gjerë dhe ka të bëjë me përpjekjen për të mos lënë hapësirën për Grupin Wagner plotësisht bosh në rishkrimin aktual.

Grupi u ngul efektivisht në Ministrinë ruse të Mbrojtjes që ishte armiku kryesor i Prigozhin vitin e kaluar dhe vendoset nën udhëheqjen e gjeneralit Yunus Bek Yevkurov, me bashkëpunimin e gjeneralit të GRU Andrey Averyanonv, veçanërisht për operacionet afrikane.

Bashkëbiseduesit e “RFI” sugjerojnë se SHBA-të mund të përdorin mercenarët Bancroft në Republikën e Afrikës Qendrore për t’i dhënë fund kësaj lloj hegjemonie ruse.

Qeveria Bangui ka qenë tashmë në negociata në tetor me “Bancroft Global Development”, e cila në Afrikë është e pranishme edhe në Somali, ku kryesisht kujdeset për trajnimin e forcave qeveritare dhe kontingjentit të Bashkimit Afrikan të stacionuar kundër terroristëve të al-Shebab.

Një burim në qarqet ushtarake është i bindur se amerikanët “kanë vendosur të konkurrojnë me kompaninë Wagner në territorin e tyre”.

Departamenti amerikan i Shtetit mohon çdo lidhje institucionale të SHBA-ve me Bancroft.

Por forca e rusëve atje është e vështirë të minohet dhe avantazhi kohor i fituar nga presidenti rus Vladimir Putin është i konsiderueshëm.

Wagner mbërriti në Afrikën Qendrore në vitin 2018, dhe që atëherë ka qenë kudo në vend.

Grupi ka garantuar shoqërimin personal të presidentit, Faustin-Archange Touadera. Po ashtu drejton minierat dhe kontrollon doganën.

Ata bëjnë biznese të ndryshme.

Megjithatë, kohët e fundit, Touadera dukej se donte të rivendoste marrëdhëniet perëndimore, ose të paktën ka theksuar një tendencë për të luajtur në dy tavolina.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore