Kosova

Serbia të heqë dorë nga miti rreth Kosovës – ndërkombëtarët nga politika sterile, thotë diplomati kroat


Ilustrim

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zllatko Kramariç, në një intervistë për “Albanian Daily News” të enjten, kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që t’i kushtojnë vëmendje më të madhe rrjedhës së tensioneve në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë sepse situata ekzistuese mund të përshkallëzohet shumë lehtë.

“Serbia duhet ta njohë realitetin, duhet të heqë dorë nga abuzimi politik i mitit të Kosovës, politikat iluzioniste dhe mashtrimi i publikut të vet. Do të ishte e dobishme nëse publiku serb do të pranonte pikëpamjet racionale të historianit, politikanit, diplomatit të famshëm serb Milan S. Protiç, i cili shumë qartë argumenton pasojat përfundimtare të një politike jorealiste”.

Zllatko Kramariç

Duke komentuar mbi sulmin e paramilitarëve serbë më 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, diplomati kroat theksoi se sulmi i 24 shtatorit nuk duhet të përsërtitet. Në këtë drejtim, shtoi ambasadori kroat në Tiranë, shtetit serb nuk duhet t’i lejohet “manipulimi i pamatur” i serbëve të Kosovës.

Nga ana tjetër, diplomati kroat theksoi se Kosova duhet të garantojë të drejtat kolektive dhe individuale për të gjithë qytetarët, përshirë komunitetin serb në vend, ndërsa kritikoi bashkësinë e organizuar ndërkombëtare për qasjen aktuale ndaj çështjeve të pazgjidhura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

“Për më tepër, kjo do të thotë se edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të heqë dorë nga politika sterile, nga politika e simetrisë, nga faji i barabartë i njërës dhe tjetrës sepse ka në dispozicion të gjithë mekanizmat e mundshëm të detyrimit politik, ekonomik dhe juridik për ta zgjidhur me elegancë këtë ‘nyje gordiane'”, nënvizoi ndër të tjera Kramariç në këtë intervistë.

Ndryshe, përkundër se BE-ja shprehu sërish shqetësimin për mundësin e përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ende nuk ka një datë konkrete për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore