Kosova

Serbia po shndërron në vepra fjalimin makabër të Millosheviç-it, thotë Kurti


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 211-të të Qeverisë së Kosovës, ka vlerësuar se Serbia po shndërron në vepra fjalimin makabër të kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviç-it.

Sipas tij, Serbia nuk e ka ndërmend të distancohet nga ky fjalim, i cili më 28 qershor shënon 35 vjetorin e saj.

“35 vjet pas fjalimit famëkeq të Slobodan Millosheviç-it, në përvjetorin e të ashtuquajturës ‘Betejë e Kosovës’, zëdhënësi i tij, tash ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, do ta nderonte edhe më tej trashëgimin e mos-durimit dhe armiqësisë së regjimit të tij ndaj Kosovës”.

Këto komente, Kurti i bëri, pasi Daçiç, të enjten, urdhëroi ndalimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i projektuar për të ndihmuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Serbia, në vlerësimin e Kurtit, me ndalimin e Festivalit ka shfaqur edhe njëherë “armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”.

Ekipi nga Kosova e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten, është ndaluar nga Policia e Serbisë, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol.

Siç raportoi mediumi opozitar serb, Danas, rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste, të enjten, në vigjilje të hapjes së Festivalit kanë organizuar një protestë kundër mbajtjes së këtij evenimenti kulturor.

Në protestë janë parë edhe simbole shoviniste serbe, ku ndër të tjera edhe një pankart me flamurin e Serbisë e vizatuar në hartën e Kosovës.

Sipas raportimeve ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore