Lajme

Serbia po planifikon sulme të reja, thotë Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para fillimit të Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, ka deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë, pas atij në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, derisa ka bërë me dije se për këtë do t’i njoftojë edhe liderët evropianë.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani

E para vendit theksoi se në këtë Samit mes liderëve evropianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur me një numër të mesazheve. Fillimisht “për të kërkuar nga BE-ja që t’i largojnë në mënyrë të menjëhershme masat jo të drejta dhe joproporcionale ndaj Kosovës”, të vendosura si pasojë e veprimeve të qeverisë në Veri.

Sipas Osmanit, vendi që ajo udhëheqë, “ka përmbushur kërkesat [e ndërkombëtarëve] për të de-eskaluar situatën”.

“Kosova ishte viktimë e një agresioni më 24 shtator ku Serbia organizoi, orkestroi dhe financoi një sulm ndaj Kosovës”, theksoi ajo, derisa shtoi se është në pritje nga Unioni “të adaptojë masat kundrejt Serbisë për këtë sulm, pasi duhet të ketë llogaridhënie”.

“Mendoj se komisioni ka shumë potencial për ta dënuar sulmin në Banjë. Ka shumë hetime të gjitha gati tregojnë se ky ishte sulm terrorist i sponsorizuar nga Serbia, nuk ishte një grup djemsh që po reklamonin armët e prodhuara nga Serbia”.

Për fat të keq, vlerësoi Osmani, historia ka treguar se kjo është e vetmja gjuhë që Serbia “e kupton”, pasi që sipas saj, në rast se nuk merren masa “ka ftesë për Serbinë që të sulmojë sërish Kosovën”.

Tutje, Osmani deklaroi se Serbia akoma udhëhiqet nga njerëz “të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë prapa vendin tonë në vitet e 90-ta”.

“Ne nuk duhet ta lejojmë një mentalitet dhe logjik të tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partneret tanë, me Bashkimin Evropian, në mënyrë që të rritet siguria, veçanërisht siguria rreth kufirit me Serbinë”.

Ajo ripërsëriti kërkesën që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor, dhe nga ana tjetër kërkoi që të ketë masa ndaj Serbisë për agresionin që është kryer më 24 shtator.

“Për fat të keq deri tani nuk ka pasur asnjë veprim dhe fatkeqësisht nëse s’do të ketë veprime, do të ketë sërish nxitje për Serbinë që të sulmojë Kosovën dhe ta destabilizojë atë”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore